Friedrich Merz shkaktoi një stuhi reagimesh në Brazil pas një deklarate të konsideruar fyese për qytetin Belém, ndërsa presidenti Lula dhe liderë lokalë iu përgjigjën ashpër, duke e akuzuar për arrogancë dhe mungesë respekti.
Një deklaratë e kancelarit gjerman Friedrich Merz, gjatë një konference për mediat, ka shkaktuar debate të gjera në Brazil, veçanërisht në qytetin Belém, i cili do të presë samitin e madh klimatik COP30. Merz rrëfeu përvojën e tij në qytet në mënyrë që u interpretua si nënvlerësuese dhe fyese.
“Ne jetojmë në një nga vendet më të bukura në botë. Pyeta disa gazetarë që udhëtuan me mua: kush prej jush do të qëndronte këtu? Askush nuk ngriti dorën. Të gjithë ishin të lumtur që u kthyem në Gjermani,” tha kancelari, duke iu referuar Belém-it. Komenti i tij u shpërnda me shpejtësi në mediat braziliane, duke shkaktuar reagime të forta në opinionin publik dhe online.
Presidenti Luiz Inácio Lula da Silva ishte ndër të parët që reagoi. Ai u shpreh se kancelari gjerman nuk kishte pasur mundësinë të përjetonte vërtet kulturën dhe mikpritjen e qytetit. “Ai duhej të kishte vizituar një bar, të kishte kërcyer dhe provuar kuzhinën tonë,” tha Lula. “Atëherë do ta kuptonte se Berlini nuk ofron as 10% të asaj që ofron Pará dhe Belém. Po, është një qytet i varfër, por ka njerëz të jashtëzakonshëm.”
Edhe reagimet politike në nivel lokal ishin të ashpra. Kryebashkiaku i Belém-it, Igor Normando, e përshkroi deklaratën si “arrogante dhe të anshme”. Guvernatori i Pará-s deklaroi se komenti tregon më shumë për mentalitetin e autorit sesa për qytetin në fjalë.
Por më i ashpërshti reagoi kryebashkiaku i Rio de Janeiro-s, Eduardo Paes, i cili në një postim në rrjetin “X” e quajti Merz-in “nazist” dhe “bir bastard të Hitlerit”. Postimi u fshi më pas, por Paes shtoi me ironi: “Ministria e Jashtme duhet të qetësohet. Rroftë miqësia braziliano-gjermane.”
Nga Gjermania u tentua të zbutet situata. Ministri i Financave, Lars Klingbeil, mbrojti Merz-in duke thënë se politikanët duhet të kenë liri të shprehen. Ndërsa ministri i Mjedisit, Carsten Schneider, u shfaq më pajtues: ai publikoi foto nga pyjet tropikale dhe falënderoi brazilianët për mikpritjen. “Brazili është një vend i mrekullueshëm me njerëz të jashtëzakonshëm. Më vjen keq që nuk mund të qëndroj më gjatë pas COP,” shkroi ai, duke shtuar se planifikon një udhëtim peshkimi me miqtë e tij nga Amazona.
Debati i shkaktuar nga deklarata e Merz-it ka nxjerrë në pah jo vetëm tensionet diplomatike, por edhe kontrastet e thella sociale të qytetit që do të presë një nga konferencat më të rëndësishme globale për klimën.


