Kanali vaditës në Drenovic prej 4 vitesh i bllokuar, fermerët: “Me propagandë nuk ujiten tokat”!

Ky është realiteti i kanaleve vaditëse për fermerët, ndërsa po hyjmë në sezonin e verës dhe pastrimi i tyre duhej të ishte kryer muaj më parë nga Bashkia Dimal.

Në zonat bujqësore të Njësia Administrative Kutalli, konkretisht në fshatin Drenovic, kanali vaditës që furnizon me ujë qindra hektarë toka bujqësore dhe sera rezulton i bllokuar prej 4 vitesh.

Siç duket edhe në pamje, kanali është jashtë funksionit, ndërsa fermerët shprehen të revoltuar pasi, sipas tyre, paguajnë taksa dhe marrin vetëm premtime boshe. Ata theksojnë se gjatë fushatave elektorale premtohet mbështetje për bujqësinë, por realiteti në terren është krejt ndryshe.

“Me propagandë nuk ujiten tokat. Duhet punë, jo mashtrime”, shprehen banorët e zonës, duke kërkuar ndërhyrje të menjëhershme për pastrimin dhe vënien në funksion të kanalit vaditës.

Ndërsa fermerët përballen me mungesën e ujit dhe tokat po thahen, kryebashkiakja Juliana Mema, sipas banorëve, shfaqet më shumë në podkaste dhe dalje publike sesa në terren pranë problemeve reale të bujqësisë.

Sipas banorëve, shumë parcela bujqësore po mbeten të thata në prag të sezonit të nxehtë, duke sjellë dëme ekonomike për familjet që jetojnë me bujqësi. Fermerët kërkojnë reagim urgjent nga institucionet përgjegjëse, pasi situata përsëritet prej vitesh pa asnjë zgjidhje konkrete.

Ata paralajmërojnë se nëse nuk ndërhyhet shpejt, prodhimet bujqësore dhe serat do të përballen me vështirësi të mëdha gjatë verës. Për banorët e zonës, uji për vaditje është jetik dhe mungesa e tij po kthehet në një problem serioz për ekonominë familjare.

Bizneset që reklamohen në rrjetin e TV Apollon

Bëj edhe ti publicitet në TV Apollon

Tel: +355 69 27 56 610

Tel: +355 69 51 27 033