Kakavijë, arrestohet një shqiptar i kërkuar nga Interpol Tirana, dy të tjerë ndalohen nga autoritetet greke

Një shtetas shqiptar i shpallur në kërkim nga Interpol Tirana është arrestuar nga policia greke në pikën e kalimit kufitar të Kakavijës, teksa po tentonte të hynte në Shqipëri gjatë ditës së Krishtlindjes.

Sipas të dhënave zyrtare, gjatë kontrollit të dokumentacionit në hyrje të territorit shqiptar, nga verifikimet në sistem rezultoi se shtetasi ishte i kërkuar nga drejtësia shqiptare, pasi ishte dënuar me 4 muaj burg për veprën penale “falsifikim dokumentesh”. Pas konstatimit, ai u ndalua nga autoritetet greke dhe dokumentacioni përkatës iu përcoll Prokurorisë së Janinës, për nisjen e procedurave të ekstradimit drejt Shqipërisë.

Po në pikën e kalimit kufitar të Kakavijës, policia greke ka arrestuar edhe dy shtetas të tjerë shqiptarë, të cilët rezultonin të kërkuar nga drejtësia greke. Njëri prej tyre ishte i dënuar nga Gjykata e Athinës me 3 vite burg për veprën penale të “shmangies nga detyrimet tatimore”, ndërsa tjetri ishte shpallur në kërkim me urdhër arresti nga Prokuroria e Kilkis për veprën penale të “ryshfetit”.

Autoritetet greke bëjnë të ditur se procedurat ligjore për secilin rast po vijojnë në përputhje me legjislacionin në fuqi dhe marrëveshjet ndërkombëtare të bashkëpunimit gjyqësor.

Bizneset që reklamohen në rrjetin e TV Apollon

Bëj edhe ti publicitet në TV Apollon

Tel: +355 69 27 56 610

Tel: +355 69 51 27 033