Juve triumfon në Derbin e Italisë, një fitore e rëndësishme për ambiciet e Champions-it

Në një ndeshje të ngjeshur dhe emocionuese, Juventus ka arritur një fitore minimale 1-0 përballë Inter-it, në një përballje të paharrueshme të Derbit të Italisë.

Ky triumf ka një rëndësi të madhe për ekipin e trajnerit Thiago Motta, që e ngjit në vendin e katërt, me 46 pikë, njësoj sa Lazio, duke u futur kështu në pozitat e Champions-it, edhe pse ende në garë për vendet e para. Në anën tjetër, Inter nuk ka mundur të përfitojë nga një tjetër humbje e mundshme e Napolit, që i jep mundësinë të qëndrojnë vetëm 2 pikë larg liderëve.

Ndeshja e zhvilluar në “Stadium” ishte një betejë e fortë për secilin prej ekipeve, me raste për të dyja palët që i dhanë spektakël tifozëve. Inter pati mundësinë e parë të pastër, me Taremin që provoi një goditje akrobatike, por portieri i Juventusit e mbajti portën të paprekur. Ekipi i Juventusit iu përgjigj me shpejtësi, por përpjekjet e tyre u ndalën nga portieri Sommer, i cili bëri dy pritje të mëdha.

Në një ndeshje të mbushur me sulme dhe kundërsulme, Lautaro Martinez pati mundësinë të shënonte, por goditja e tij përfundoi mbi traversë. Pjesa e parë përfundoi me tensione dhe raste të humbura, me Dumfries që goditi shtyllën në minutat e fundit. Ky moment ishte vetëm një pasqyrë e tensioneve që do të pasonin në pjesën e dytë.

Dhe ajo që dukej si një mundësi tjetër për Interin u anulua për shkak të një faulli në sulm, pas një goditje të dyshimtë nga Dumfries. Gjithsesi, momenti vendimtar erdhi në minutën e 74-të, kur Kolo Muani insistoi në zonën kundërshtare dhe pas një grumbullimi të topit, ai gjeti Conceiçao, i cili me një goditje të saktë dërgoi topin në rrjetë, duke i dhënë Juventusit avantazhin e merituar.

Me këtë gol të portugezit, tifozët e Juventusit shpërthyen në entuziazëm dhe ekipi i tyre u mbrojt me ngulm deri në fund të ndeshjes. Fitore e madhe për “Zonjën e Vjetër”, e cila jo vetëm që triumfoi në Derbin e Italisë, por edhe konsolidoi pozitat e saj në garën për një vend në Champions. “Juve bëhet e bukur”, titron La Gazzetta dello Sport, duke e vlerësuar këtë fitore si një hap të rëndësishëm për të ardhmen e klubit.

Ndaj Postimin: