Izraeli pranon propozimin amerikan për armëpushim të përkohshëm me Hamasin, përgjigje e ftohtë nga grupi militant

Izraeli ka pranuar një propozim të ri nga Shtetet e Bashkuara për një armëpushim të përkohshëm me Hamasin, njoftoi Shtëpia e Bardhë.

Ky hap vjen pas përpjekjeve intensive diplomatike për të ndalur konfliktin dhe për të siguruar lirimin e pengjeve që janë kapur gjatë sulmit që ndezi luftën.

Dërguari special i presidentit Trump, Steve Witkoff, shprehu optimizëm gjatë kësaj jave për arritjen e një marrëveshjeje që do të ndalonte luftën ndërmjet Izraelit dhe Hamasit dhe do të favorizonte lirimin e pengjeve. Shtëpia e Bardhë bëri të ditur se Izraeli “mbështeti dhe përkrahu” këtë propozim të ri.

Megjithatë, zyrtarët e Hamasit reaguan me një qëndrim të ftohtë ndaj draftit të miratuar nga Izraeli, duke theksuar se duan ta studiojnë me kujdes propozimin para se të japin një përgjigje zyrtare. Sipas një prej liderëve kryesorë të Hamasit, Bassem Naim, përgjigjja e Izraelit në thelb vazhdon okupimin dhe vazhdimin e vrasjeve dhe urisë. Ai shtoi se propozimi nuk i përgjigjet kërkesave më thelbësore të popullit palestinez, përfshirë ndalimin e luftës dhe ndihmën humanitare.

Në negociatat e mëparshme, Hamasi kishte rënë dakord me Witkoff për një “kornizë të përgjithshme” që synon një armëpushim të qëndrueshëm, tërheqjen e plotë izraelite nga Gaza, rritjen e ndihmave humanitare dhe dorëzimin e pushtetit nga grupi militant në një komitet politik palestinez të pavarur.

Nga ana e tyre, Izraeli ka kërkuar që lufta të mos përfundojë deri në lirimin e plotë të pengjeve dhe asgjesimin ose dëbimin e Hamasit. Kryeministri Benjamin Netanyahu ka deklaruar se Izraeli do të kontrollojë Gaza-n përkohësisht dhe do të lehtësojë emigrimin vullnetar të popullsisë së zonës, një plan që është refuzuar nga palestinezët dhe shumica e komunitetit ndërkombëtar.

Propozimi i fundit i armëpushimit, i cili përfshin një pauzë 60-ditore në konflikt, përfshin lirimin e 10 pengjeve të gjalla dhe trupave të disa të vrarëve nga Hamas, në këmbim të lirimit të mbi 1,100 palestinezëve të burgosur në Izrael, përfshirë 100 me dënime të gjata. Gjatë kësaj periudhe, pritet që dhjetëra kamionë me ndihma humanitare të hyjnë në Gaza, ku bllokada izraelite ka sjellë popullsinë në prag të uri.

Konflikti filloi në tetor 2023, kur militantët e Hamasit sulmuan Izraelin, duke vrarë mbi 1,200 persona dhe duke rrëmbyer 251 pengje. Ndërkohë, fushata ushtarake izraelite ka shkaktuar mbi 54,000 viktima palestineze dhe ka shkatërruar zona të mëdha të Gazës, duke shkaktuar zhvendosjen e 90% të popullsisë. Konflikti vazhdon të jetë i ndërlikuar për shkak të mosmarrëveshjeve mbi kushte dhe garancitë e armëpushimit, si dhe frikës së Izraelit se një armëpushim i përhershëm mund t’i japë mundësi Hamasit të rikthehet ushtarakisht.

Në këtë situatë, negociatat ndërmjet SHBA-së, Egjiptit dhe Katarit vazhdojnë pa një zgjidhje përfundimtare, ndërsa tensionet politike brenda Izraelit po shtojnë presion mbi qeverinë Netanyahu për të mos përfunduar luftën shumë shpejt.

Ndaj Postimin: