Gjykata e Apelit pezullon vendimin që ndalonte tarifat e Trumpit

Gjykata federale pezullon vendimin e Gjykatës së Tregtisë Ndërkombëtare që bllokoi tarifat e vendosura nga presidenti Donald Trump, duke rikthyer mundësinë e aplikimit të tyre me fuqitë emergjente.

Një gjykatë apelimi federale ka pezulluar vendimin e mbrëmshëm të Gjykatës së Tregtisë Ndërkombëtare (CIT) që ndalonte tarifat e vendosura nga presidenti Donald Trump. Ky vendim i Apelit për Qarkun Federal rikthen të drejtën e administratës Trump për të zbatuar tarifat duke përdorur fuqitë emergjente që presidenti shpalli më herët gjatë këtij viti.

Gjykata e Apelit ka kërkuar gjithashtu që palët të dorëzojnë argumente me shkrim mbi çështjen e ndalimit të tarifave, me afat deri në fillim të muajit të ardhshëm. Kjo shtyrje thellon edhe më shumë pasigurinë dhe konfuzionin rreth tarifave që kanë qenë një nga shtyllat kryesore të politikës ekonomike të Trumpit.

Mbrëmjen e së mërkurës, Gjykata e Tregtisë Ndërkombëtare vendosi se Trump nuk kishte autoritet ligjor sipas Ligjit për Fuqitë Emergjente Ekonomike Ndërkombëtare për të imponuar këto tarifa të gjera. Administrata Trump apeloi menjëherë këtë vendim, duke hapur rrugën për një betejë ligjore që prek thelbin e politikës ekonomike, e cila synon rimëkëmbjen e prodhimit amerikan, por që mund të rrisë çmimet për bizneset e vogla dhe konsumatorët.

Në reagimin e saj të së enjtes, sekretarja për shtyp në Shtëpinë e Bardhë, Karoline Leavitt, kritikoi ashpër vendimin e CIT, duke i cilësuar gjykatësit si “aktivistë”, edhe pse në panelin tre-anjëshe është përfshirë një gjykatës i emëruar nga vetë Trump gjatë mandatit të tij të parë. Ajo tha se ky vendim rrezikon të dobësojë besueshmërinë e SHBA-së në arenën ndërkombëtare.

Leavitt mbrojti përdorimin nga Trump të emergjencës kombëtare për vendosjen e tarifave, duke deklaruar se kjo çështje ishte tashmë e “adjudikuar nga Kongresi”. Sipas saj, vendimi i CIT ishte një tentativë për të “keqpërdorur fuqinë gjyqësore dhe për të marrë kompetenca që nuk i takojnë”.

Organizata Liberty Justice Center, që përfaqëson disa kompani që kundërshtojnë tarifat, tha se vendimi i Apelit është vetëm një hap procedural ndërsa gjykata shqyrton kërkesën për një pezullim më të gjatë gjatë apelimit. Jeffrey Schwab, këshilltar i lartë në këtë organizatë, shprehu besimin se Apeli Federal do të refuzojë kërkesën e qeverisë, duke njohur dëmin e pariparueshëm që tarifat shkaktojnë për klientët e tyre.

Vendimet përkatëse që ndaluan tarifat dhe më pas pezulluan atë ndalim janë marrë brenda pak orësh, duke rritur pasigurinë dhe paqartësinë për politikën ekonomike të administratës Trump. Në veçanti, gjykata e tregtisë bllokoi tarifat e vendosura sipas Ligjit për Fuqitë Emergjente në ekonominë ndërkombëtare, përfshirë tarifat kundër Kinës, Meksikës dhe Kanadasë, që ishin pjesë e strategjisë për të luftuar trafikun e fentanylit në SHBA. Këto masa nuk përfshinin tarifat mbi automjetet dhe çelikun, të vendosura nën një ligj tjetër.

Gjykata e Tregtisë mbajti një vendim unanim lidhur me dy raste të ndara: një padi e ngritur nga Liberty Justice Center dhe një tjetër nga 12 shtete demokratike kundër administratës për tarifat. Administrata reagoi menjëherë me apel dhe kërcënoi se nëse nuk merr pezullim nga gjykatat e apelit ose CIT, do ta çojë çështjen deri në Gjykatën e Lartë.

Ndërkohë, një gjykatës federal tjetër, Rudolph Contreras, vendosi të enjten se dy kompani familjare amerikane të lodrave do të pësonin dëme të pariparueshme nga tarifat e Trumpit. Ai njoftoi një urdhër paraprak mbrojtës, por pezulloi efektin e tij për dy javë, duke pritur apelimin që administrata e ka ndërmarrë shpejt.

Kjo betejë ligjore vazhdon të mbajë në tension jo vetëm politikanët dhe bizneset, por edhe tregjet dhe konsumatorët amerikanë, ndërsa zhvillimet e fundit shtojnë më shumë paqartësi mbi të ardhmen e politikave tarifore të SHBA-së.

Ndaj Postimin: