Inflacioni i muajit nëntor ka shënuar rritje në 2.1%, me qiratë, ushqimet dhe energjinë që mbeten faktorët kryesorë të rritjes së kostos së jetesës, sipas INSTAT. Grupi “Qira, ujë, lëndë djegëse dhe energji” udhëhoqi listën me një ndikim prej +0,81 pikë përqindje, ndërsa ushqimet dhe pijet joalkoolike sollën +0,51 pikë përqindje.
Rritje u panë edhe te mobiljet, mirëmbajtja e shtëpisë (+0,21), pijet alkoolike dhe duhani (+0,14), hotelet dhe restorantet (+0,13), si dhe te një sërë grupesh të tjera të shportës së konsumit.
Krahasuar me një vit më parë, çmimet e qirave dhe energjisë janë rritur me 4.0%, pijet alkoolike dhe duhani me 2.9%, ndërsa mobiljet dhe pajisjet e shtëpisë me 2.8%. Ushqimet janë rritur me 1.5%, me nëngrupin “Qumësht, djathë dhe vezë” që kryeson listën me +4.9%, ndjekur nga “Vajra dhe yndyrna” (+4.6%) dhe “Peshku” (+3.3%).
Muaji nëntor solli edhe disa ulje çmimesh krahasuar me tetorin: “Argëtim dhe kulturë” -0.8%, “Veshje dhe këpucë” -0.5%, dhe ushqimet -0.4%. Nga ana tjetër, “Komunikimi” dhe “Mobilje, pajisje shtëpie dhe mirëmbajtje e shtëpisë” u rritën lehtë me +0.1%.
Inflacioni mbetet i qëndrueshëm, por presioni mbi kategoritë bazë si qiratë dhe ushqimet vazhdon të jetë i lartë, duke ndikuar drejtpërdrejt në shpenzimet e familjeve.


