Ilir Meta: Fjalimi i Ramës më ndërpreu mëngjesin, kontrollet në qelinë Nr.5 vazhdojnë

Presidenti i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, ka publikuar një audio-mesazh nga qelia e tij, ku tregon një episod të pazakontë që ndodhi gjatë mëngjesit të sotëm.

Sipas Metës, ai po hante bukën dhe dëgjonte një fjalim të kryeministrit Edi Rama, kur qelia e tij u kontrollua në mënyrë të detajuar, duke përfshirë edhe një kontroll të trupit dhe një inspektim të imtësishëm të gjithë hapësirës.

Në mesazhin e tij, Meta përshkruan se ndërsa po ndiqte fjalimin e Ramës, i cili diskutonte për standardet europiane në drejtësi, qelia e tij u hap papritur dhe u kërkua të dilte jashtë për t’u kontrolluar. Ky kontroll, sipas tij, ishte një rastësi, i ndodhur gjatë një fjalimi të që Meta e quan “skizofrenik”, ku Rama përpiqej të promovonte standardet e drejtësisë, ndërkohë që, sipas Metës, qeveria ka shkelur këto standarde.

Meta theksoi se kontrolli i qelisë është një praktikë e zakonshme dhe se ai është kontrolluar vazhdimisht gjatë qëndrimit të tij në burg. Megjithatë, ai e cilëson këtë episod si një tjetër shembull të fytyrës së vërtetë të standardeve europiane, që Rama dhe qeveria e tij synojnë të paraqesin.

Në vijim, Meta i bëri thirrje opozitarëve që të shqyrtojnë dokumentet e vitit 2017, ku pretendon se janë të regjistruara vjedhjet dhe keqpërdorimet e inceneratorëve nga Edi Rama dhe Erion Veliaj, të cilët, sipas tij, kanë manipuluar me kompetencat e Këshillit Bashkiak të Tiranës për të fituar kontrata të dëmshme për qytetarët. Meta shtoi se këto fakte duhet t’i shfaqen publikut dhe të zbardhen para drejtësisë.

Ai gjithashtu kritikoi ashpër Edi Ramën për korrupsionin dhe përfshirjen e tij në skandale ndërkombëtare, duke përmendur procesin gjyqësor të McGonigal dhe akuzat për lobim dhe korrupsion. Meta nënvizoi se është koha që shqiptarët të mos i qëndrojnë më duar lidhur ndaj veprimeve të qeverisë dhe të kërkojnë llogari për veprimet e kryeministrit.

“Ky është një moment i rëndësishëm për drejtësinë në Shqipëri. Duhet të ngrihemi dhe t’i tregojmë vendin këtij skizofreni që po përpiqet të kontrollojë gjithçka dhe të fshehë krimet e tij,” tha Meta në mesazhin e tij. Ai e përfundoi mesazhin duke i bërë thirrje qytetarëve dhe opozitarëve që të mos tremben nga presioni dhe të bëjnë gjithçka që është e mundur për të luftuar korrupsionin dhe diktaturën që po ndërtohet në Shqipëri.

Mesazhi i Plotë

Të dashur qytetarë,

Unë jam Ilir Meta, banor i qelisë Nr.5, i cili sot në orën 09:20 po hante mëngjes dhe po dëgjonte fjalimin e një skizofreni, i cili po fliste për standardet europiane që duheshin në fushën e drejtësisë dhe çuditërisht hapet qelia Nr.5 dhe më kërkohet të bëhet një kontroll i posaçëm, për të ndërprerë ngrënien e bukës, për të dalë përjashta.

Pasi u bë kontrolli im i imët fizik i trupit, pastaj u bë kontroll i imët për gati 20 minuta në të gjithë qelinë, përfshirë edhe frigoriferin, që nuk kishte ndodhur asnjëherë, por ndodhi rastësisht besoj gjatë fjalimit të këtij skizofreni që fliste për standardet e drejtësisë, për standardet europiane, që i garantonte partia e inceneratorit që nuk ekziston dhe që vetëm Dumani nuk e shikon.

Natyrisht që ky nuk është kontrolli i parë, këtu kontrolle bëhen çdo ditë, kontrollohet qelia ime se mos unë sharroj hekurat e qelisë dhe arratisem, por doja t’ju vija në dijeni për rastësinë që ndodhi sot, siç ka edhe rastësi të tjera të cilat tregojnë fytyrën e vërtetë të standardeve europiane.

I bëj thirrje çdo opozitari, që kur del në emisione, që kur del në Parlament, të marrë shkresën e vitit 2017 që ka firmosur, sipas ish – Zv/Kryeministër Ahmetaj, Erion Veliaj duke vjedhur dhe rrëmbyer kompetencat e Këshillit Bashkiak të Tiranës me porosi të Edi Ramës për inceneratorin që nuk ekziston dhe që paguajnë të gjithë qytetarët e Tiranës tani 90 mijë euro çdo ditë.

Këto shkresa t’ja tregojë Dumanit dhe të gjithë atyre që flasin për “Drejtësinë e Re”.

Të marrin dhe shkresën e Edi Ramës, që ka shpallur kompaninë fituese të inceneratorit me 8 pikë pa u krijuar ligjërisht dhe të tregojë standardet e vërteta të drejtësisë së Edi Ramës.

Njëkohësisht të marrë edhe procesin gjyqësor kundër McGonigalit, ku del Edi Rama të paktën 14 herë për korrupsion dhe t’ja u tregojë të gjithëve standardet e lobimit të Edi Ramës edhe të Dumanit, që i mban aty në sirtar.

Nuk ka asnjë mënyrë dhe asnjë formë frikësimi ndaj Ilir Metës dhe të gjithë shqiptarëve të cilët do t’i tregojnë vendin këtij skizofreni që sot premtoi se do vjedhë zgjedhjet dhe mbasi të vjedhë zgjedhjet do të vendosi standarde europiane.

Ndërkohë të gjithë i dinë standardet e tij, të gjithë e dinë korrupsionin e tij.

Se si i korrupton ky ndërkombëtarët e di e gjithë bota, tani është rradha e shqiptarëve për t’i thënë këtij, i cili thotë se drejtësia funksionon vetëm kur punon dhe rrëmben kundërshtarët e mi politik, por kur më kërcënon mua me “tigrin’’ Erion Veliaj, sigurisht që këtu nuk ka më drejtësi, ka diktaturë.

Prandaj, të gjithë të mobilizohen, mos i ndani ato shkresa, ato fakte që ulërasin prej vitesh e vitesh dhe vetëm Dumani i këtij nuk i shikon, se nuk ka Duman që i bën më derman këtij.

Ndaj Postimin: