IdentiTek ul kohën e pajisjes me ID Kartë, por dyfishon çmimin

Kompania shtetërore IdentiTek, e cila merret me prodhimin e dokumenteve biometrike, ka lançuar një shërbim të ri për qytetarët shqiptarë që lehtëson procesin e marrjes së kartës së identitetit. Kjo risia ofron mundësinë e pajisjes me letërnjoftim elektronik brenda 3 ditësh, duke ulur kohën e pritjes nga 14 ditë që ishte deri më tani.

Për të përfituar nga ky shërbim i përshpejtuar, qytetarët duhet të paguajnë një tarifë prej 3 mijë lekësh, e cila është dyfishuar krahasuar me çmimin e mëparshëm. Ky shërbim është veçanërisht i dobishëm për ata që kanë nevojë për kartën e identitetit në një periudhë të shkurtër kohe, si emigrantët që qëndrojnë për pak ditë në Shqipëri, ose individë që kanë urgjencë për arsye personale, profesionale ose administrative.

Procedura për t’u pajisur me letërnjoftimin elektronik është e thjeshtë dhe mund të realizohet në çdo zyrë të IdentiTek në të gjithë Shqipërinë. Përdoruesit duhet të blejnë kuponin për procedurën e përshpejtuar, të paraqesin dokumentin e mëparshëm ose vetëdeklarimin e humbjes nga e-Albania, dhe më pas të bëjnë aplikimin në një nga zyrat e IdentiTek. Pas përfundimit të procedurës, ata mund ta tërheqin kartën e re menjëherë.

Ky shërbim është i hapur për të gjithë qytetarët shqiptarë, duke përfshirë ata që aplikojnë për herë të parë për letërnjoftim elektronik, ata që duan të rinovojnë dokumentin e skaduar, si dhe ata që kërkojnë një zëvendësim për shkak të dëmtimit, humbjes apo skadimit të dokumentit të mëparshëm.

IdentiTek, e cila operon nën Ministrinë e Brendshme, vazhdon të synojë inovacionin dhe përmirësimin e aksesit në shërbime për qytetarët shqiptarë. Ky shërbim i ri është një tjetër hap në përpjekjet e kompanisë për të ofruar shërbime që përmirësojnë jetën dhe lehtësojnë administratën për të gjithë ata që kërkojnë dokumente identifikimi.

Ndaj Postimin: