Detaje të reja kanë dalë në dritë nga hetimi ndaj ish-deputetit socialist Jurgis Çyrbja.
Ai dyshohet se ka përdorur aplikacionin Sky dhe ka pasur lidhje me anëtarë të një grupi kriminal në Durrës. Hetimi, që ka zgjatur një kohë të gjatë, dhe informacionet e marra nga autoritetet franceze kanë zbuluar se Çyrbja, gjatë kohës kur ishte deputet, përdorte këtë aplikacion dhe ka të dhëna se ka bashkëpunuar me persona të përfshirë në krim.
Së bashku me Çyrbjen, dje u arrestua edhe një bashkëpunëtor i tij, Ahmet Masha, ndërsa një person tjetër është shpallur në kërkim. Sipas burimeve të policisë, Altin Hajri është personi i tretë i kërkuar në lidhje me këtë çështje. Hajri gjithashtu është kërkuar nga Prokuroria e Posaçme për rrëmbimin dhe vrasjen e Jan Prengës. Deputeti Çyrbja dyshohet se e ka ndihmuar Hajrin që të strehohej dhe të shmangte arrestimin nga policia, duke e mbajtur në shtëpinë e tij dhe në banesa të tjera.
Sipas dosjes hetimore, Plaurent Dervishaj dhe Mond Çekiçi, i cili u vra në Durrës, kanë diskutuar për përfshirjen e Çyrbjes në listën e Partisë Socialiste për zgjedhjet e vitit 2021. Ata kanë komunikuar për të siguruar që Çyrbja të ishte në vendin e tretë në listën për deputetë në Durrës, në vend që të ishte në vendin e pestë.
Partia Socialiste në zgjedhjet e vitit 2021 kishte tre kandidatë kryesorë në Durrës: Lefter Koka (i cili u tërhoq para zgjedhjeve dhe tani ndodhet në burg), Rrahman Rrahja (i dorëhequr për shkak të problemeve me familjarët), dhe Jurgis Çyrbja, që u arrestua të dielën. Çyrbja ishte një ndër figurat më të forta në Durrës, duke marrë 6537 vota në zgjedhje.
Ndërkaq, kujtojmë që Ahmet Masha, i arrestuari tjetër, ka precedentë penalë dhe ka qenë i dënuar për kontrabandë në portin e Durrësit në vitin 2013. Prokuroria e Posaçme ka bërë me dije se Jurgis Çyrbja është arrestuar për akuza që përfshijnë “Korrupsionin aktiv në zgjedhje”, “Përkrahjen e autorit të krimit”, dhe “Tregtimin e sekretit shtetëror”.