Kanë hyrë në fuqi çmimet e reja të referencës që përdoren për zhdoganimin e automjeteve të përdorura, duke sjellë rritje deri në 25 për qind për autoveturat, kamionçinat, furgonët dhe kamionët. Ndryshimet janë parashikuar në udhëzimin e ri të Ministrisë së Financave, i cili është botuar në Fletoren Zyrtare.
Sipas udhëzimit “Për disa shtesa dhe ndryshime në udhëzimin nr. 3, datë 23.1.2018, ‘Për vlerësimin e mallrave për qëllime doganore’”, çmimet e reja të referencës do të përdoren për automjetet me vit prodhimi më të hershëm se viti i fundit i publikuar në buletinet zyrtare të çmimeve, që pasqyrojnë tregjet europiane.
Për autoveturat, pragu minimal i zhdoganimit për automjetet me cilindratë nga 1400 deri në 1900 cc rritet nga 200 mijë lekë në 250 mijë lekë. Për automjetet me cilindratë nga 1900 deri në 2500 cc, vlera minimale rritet nga 325 mijë lekë në 406 mijë lekë. Për kategorinë nga 2500 deri në 3000 cc, çmimi minimal i zhdoganimit shkon nga 400 mijë lekë në 500 mijë lekë, ndërsa për automjetet me cilindratë nga 3000 deri në 4500 cc, pragu minimal rritet nga 500 mijë lekë në 625 mijë lekë. Për automjetet me cilindratë mbi 4500 cc, vlera minimale e referencës mbetet e pandryshuar në nivelin 1 milion lekë.
Rritja prej 25 për qind aplikohet edhe për kategorinë e kamionçinave, furgonëve dhe kamionëve. Për kamionçinat dhe furgonët me kapacitet deri në 1.5 tonë, vlera minimale e referencës për zhdoganim rritet nga 400 mijë lekë në 500 mijë lekë. Për mjetet me kapacitet nga 1.5 deri në 3.5 tonë, pragu minimal shkon nga 600 mijë lekë në 750 mijë lekë.
Për kamionët me kapacitet nga 3.5 deri në 10 tonë, vlera minimale e referencës rritet nga 850 mijë lekë në 1.062.500 lekë. Për kamionët me kapacitet nga 10 deri në 15 tonë, çmimi minimal i zhdoganimit rritet nga 1 milion lekë në 1.250.000 lekë, ndërsa për kamionët me kapacitet mbi 15 tonë, pragu minimal rritet nga 1.2 milion lekë në 1.5 milion lekë.
Udhëzimi i ri përcakton gjithashtu se vlerësimi i automjeteve me vit prodhimi para vitit të fundit të publikuar në buletinet përkatëse nuk mund të llogaritet nën këto çmime minimale të referencës. Me hyrjen në fuqi të këtij udhëzimi, pika 18 e udhëzimit të mëparshëm është shfuqizuar.