Heqja e sanksioneve dhe lëvizjet në Republika Srpska, Dodikut i hiqet emri nga lista e zezë

SHBA ka nisur të zhbllokojë listën e sanksioneve pasi Milorad Dodik u tërhoq nga posti i presidentit të Republika Srpska, duke hapur rrugën për ndryshime politike në këtë entitet.

Departamenti i Thesarit i SHBA-së ka konfirmuar heqjen e sanksioneve për ish-presidentin e Republika Srpska, Milorad Dodik, si edhe për një grup zyrtarësh dhe bashkëpunëtorësh të tij. Vendimi vjen pas zhvillimeve të fundit politike në këtë entitet dhe negociatave të kryera mes palëve.

Nga lista e sanksioneve janë hequr Milorad Dodik, Zheljka Cvijanoviç, Radovan Viškoviç, Nenad Stevandiç, Siniša Karan, Petar Gjokiç, Staša Kosharac, Srebrenka Goliç, Žerard Selman dhe Rajko Kuz, së bashku me funksionarë të tjerë të lartë të strukturave të Republika Srpska. Vendimi përfshin edhe anëtarë të familjes së ngushtë të Dodikut.

Në këtë proces janë përfshirë edhe emrat Igor dhe Gorica Dodik, si dhe disa biznesmenë të afërt me rrethin politik dhe familjar të Dodikut: Gjorgje Gjuriç, Vlatko Vukotiç, Aleksandar Dobriç, Mirko Dobriç, Milenko Çiqiç, Marko Gujaniçiç dhe Dalibor Paniç. Këta individë për vite u konsideruan pjesë e rrjetit të ndikimit politik dhe ekonomik të ndërtuar rreth Dodikut.

Mediat serbe raportuan se lëvizja e SHBA-së lidhet me një marrëveshje të arritur më herët. Sipas saj, Dodik pranoi të largohej nga posti i presidentit të Republika Srpska dhe të emëronte një president të përkohshëm, me synim uljen e tensioneve dhe shmangien e përshkallëzimit politik.

Pas këtij hapi, në krye të Republikës është zgjedhur Ana Trişiç-Babiç, gjë që përmbushi kushtin kryesor të marrëveshjes. Ky zhvillim ka çuar në fillimin e heqjes graduale të sanksioneve për bashkëpunëtorët e Dodikut.

Procesi pritet të përfundojë deri në fund të këtij muaji, ndërsa mbetet për t’u parë nëse ndryshimi i ekuilibrave politike në Republika Srpska do të sjellë stabilitet më të qëndrueshëm në marrëdhëniet me partnerët ndërkombëtarë.

Ndaj Postimin: