Ferrari vijoi dje ditën e dytë të testimeve private në Barcelonë, por vëmendjen kryesore e mori një incident i Lewis Hamilton, i cili përjetoi një aksident në pistë gjatë testimeve.
Shtatë herë kampioni i botës humbi kontrollin e makinës dhe u përplas me barrierat rreth orës 11:00, teksa përfundonte sektorin e tretë të cirkuitit katalanas.
Hamilton, i cili drejtonte një version të modifikuar të Ferrari SF-23, doli i padëmtuar nga makina, por njëvendëshja pësoi dëmtime në zonën e amortizimit dhe disa pjesë aerodinamike. Pas incidentit, makina u tërhoq drejt bokseve, ndërsa ekipi teknik i Ferrarit nisi menjëherë analizimin e shkaqeve të aksidentit.
Ngjarja pati ndikim në programin e testimeve, pasi në mesditë ishte planifikuar të zbriste në pistë Charles Leclerc. Megjithatë, riparimet e makinës vonuan nisjen e tij për disa orë. Testet private të Formula 1, të cilat u lejojnë ekipeve të përshkojnë deri në 1000 kilometra në vit me makina të paktën dy vjet të vjetra, janë një mundësi kyçe për pilotët që të mësohen me karakteristikat teknike të skuadrës së re.
Seanca e testimeve në Barcelonë pason ato të zhvilluara javën e kaluar në pistën e Ferrarit në Fiorano. Këto prova janë veçanërisht të rëndësishme për Hamilton, i cili po mësohet me komandat, frenat, kutinë e shpejtësisë dhe motorin e makinës së re. Gjithashtu, pista e Barcelonës, një nga më të shpejtat në Botërorin e Formula 1, përmban kthesa sfiduese me shpejtësi mbi 260 km/h.
Ky nuk është rasti i parë kur Hamilton përjeton një incident në debutimin me një skuadër të re. Në vitin 2007, gjatë testimeve në Valencia, ai pësoi një përplasje në debutimin me McLaren. E njëjta gjë ndodhi edhe në vitin 2013, kur britaniku po testonte për herë të parë makinën e Mercedes në Herez. Tashmë, historia përsëritet me Ferrarin në Barcelonë.
Pavarësisht aksidentit, Ferrari synon të vijojë testet edhe në ditët në vijim, duke analizuar çdo aspekt teknik për të optimizuar performancën e makinës. Me afrimin e sezonit të ri, skuadra italiane po punon intensivisht për të garantuar që Hamilton dhe Leclerc të jenë në formën më të mirë të mundshme për garat e ardhshme.