Gripi i Shpendëve nën kontroll, por Ministria e Bujqësisë apel për kujdes.

Ministria e Bujqësisë njofton se aktualisht nuk ka asnjë ndryshim lidhur me influencën aviare, e njohur ndryshe si “Gripi i Shpendëve”.

Gjatë periudhës 30 tetor deri më 7 nëntor 2024, ministria ka vijuar punën për monitorimin e kësaj situate në disa zona të caktuara të vendit.

Kontrollet janë përqendruar në zonën 3 km të mbikëqyrjes dhe në zonën 10 km të mbrojtjes, ku janë përfshirë disa fshatra. Në këto zona janë inspektuar gjithsej 3935 ferma shpendësh të madhësive të ndryshme, duke bërë një kontroll të hollësishëm të gjendjes së tyre.

Pas kryerjes së kontrolleve fizike të shpendëve në këto ferma, gjendja shëndetësore e tyre është vlerësuar të jetë në rregull dhe pa asnjë shenjë që mund të lidhet me simptomat klinike të gripit të shpendëve.

Puna e monitorimit nga Ministria e Bujqësisë ka për qëllim të mbrojë shëndetin e popullsisë dhe sigurinë e ushqimit, si dhe të ndihmojë në parandalimin e ndonjë përhapjeje të mundshme të sëmundjeve tek shpendët.

Autoritetet vazhdojnë të jenë vigjilente dhe të angazhuara për të ruajtur shëndetin e shpendëve në vend, duke ofruar mbështetje dhe informacion të vazhdueshëm për fermerët dhe publikun e gjerë.

Ministria e Bujqësisë i inkurajon të gjithë fermerët të qëndrojnë të informuar dhe të raportojnë çdo ndryshim të papritur në shëndetin e shpendëve, si pjesë e përpjekjeve për të mbajtur fermat dhe shpendët të sigurt.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Ndaj Postimin:

Postime të tjera