Gjykata e Fierit shtyn për në 24 qershor shqyrtimin e kërkesës për lirim nga burgu të ish-deputetit demokrat Ervin Salianji, për shkak të mungesës së raportit nga IEVP.
Seanca për shqyrtimin e kërkesës për lirim të parakohshëm të ish-deputetit të Partisë Demokratike, Ervin Salianji, u shty nga Gjykata e Fierit për në datën 24 qershor. Sipas avokatit të tij, Ledio Braho, vonesa u shkaktua nga mospërcjellja në kohë e raportit të vlerësimit nga Institucioni i Ekzekutimit të Vendimeve Penale në Fier.
Në një prononcim për mediat, Braho tha se procesi mund të kërkojë edhe një ose dy seanca të tjera përpara se të merret një vendim përfundimtar. Ai theksoi se klienti i tij është në të drejtën ligjore për të kërkuar lirinë, ndonëse vuri në dukje se “nuk mund të parashikojmë se çfarë vendimesh mund të marrin gjykatat në Shqipëri”.
Salianji ndodhet aktualisht në vuajtje dënimi pasi u shpall fajtor për “kallëzim të rremë” në kuadër të çështjes së njohur si dosja “Babale”. Vendimi ndaj tij është tashmë i formës së prerë dhe është dhënë nga Gjykata e Apelit. Ai u dënua me një vit burgim.
Në muajin Mars, Gjykata e Lartë rrëzoi përfundimisht rekursin e paraqitur nga Salianji, duke konfirmuar vendimin e mëparshëm të Apelit. Ky zhvillim i mbylli të gjitha rrugët ligjore të ankimimit për dënimin penal të tij.
Çështja “Babale” ishte ndër më të përfolurat në arenën politike shqiptare, pasi përfshinte akuza të rënda për inskenim të një audio-përgjimi, që përfshinte pretendime për trafik droge ndaj një zyrtari të lartë të shtetit. Gjykatat konkluduan se bëhej fjalë për një kallëzim të rremë, duke e shpallur përgjegjës Salianjin.
Ndërkohë, vëmendja mbetet tek seanca e radhës më 24 qershor, ku pritet të përcaktohet nëse ish-deputeti do të përfitojë lirim të parakohshëm, apo do të vijojë të vuajë dënimin deri në përfundimin e plotë të afatit penal.