Vendimi i Gjykatës ngre pikëpyetje mbi procedurat e deportimit të migrantëve dhe të drejtën për apel në kërkesat për azil.
Gjykata Evropiane e Drejtësisë vendosi së fundmi se Italia mund të përshpejtojë deportimet e emigrantëve drejt vendeve që i ka klasifikuar si “të sigurta”, vetëm nëse plotëson disa kushte të rëndësishme ligjore. Në thelb, një procedurë e tillë e përshpejtuar e azilit është e lejueshme vetëm nëse burimet mbi të cilat bazohet përcaktimi i vendeve të sigurta janë të aksesueshme dhe të qarta për aplikantët dhe organet gjyqësore.
Gjykata kërkon që çdo shtet i konsideruar si vend i sigurt origjine të sigurojë mbrojtje adekuate për gjithë popullsinë, duke përfshirë edhe pakicat. Po ashtu, përcaktimi i vendeve të sigurta duhet të jetë i hapur për shqyrtim gjyqësor, në mënyrë që emigrantët të kenë të drejtën për të sfiduar vendimet për kërkesat e tyre për azil.
Kryeministrja italiane Giorgia Meloni kritikoi ashpër këtë vendim, duke thënë se ai kufizon edhe më shumë hapësirën për qeveritë për të vepruar në drejtim të menaxhimit të emigracionit. Sipas saj, kjo vendosje dobëson politikat për të ndaluar emigracionin e paligjshëm dhe për të mbrojtur kufijtë kombëtarë.
Çështja u përfshi në debat pas një rasti ku dy shtetas nga Bangladeshi, të cilët u shpëtuan nga marina italiane, u dërguan në një qendër paraburgimi në Shqipëri. Kërkesa e tyre për azil u refuzua shpejt sepse Bangladeshi konsiderohej nga Italia si vend i sigurt. Por një gjykatë italiane vendosi që kthimi i menjëhershëm nuk ishte i ligjshëm, duke çuar çështjen në Gjykatën e BE-së për një vendim përfundimtar.
Përshpejtimi i procedurave dhe ndalimi i emigrantëve në Shqipëri është pjesë e politikave të qeverisë Meloni për të kontrolluar rrjedhën e migrantëve drejt Italisë, por këto politika kanë marrë kritika të forta. Gjykatat italiane kanë refuzuar disa nga këto masa dhe kanë kërkuar sqarime nga Gjykata e BE-së në Luksemburg.
Opozita dhe organizatat për të drejtat e njeriut kritikojnë këtë sistem si të kushtueshëm dhe shkelës të të drejtave të emigrantëve. Një delegacion joqeveritar që monitoron procesin në Shqipëri argumenton se migracioni në këtë mënyrë i mohon emigrantëve aksesin e duhur në procedurat për azil.


