Gjirokastra feston 21-vjetorin në UNESCO, qyteti i gurit kremton historinë, kulturën dhe trashëgiminë.

Qyteti i gurit, Gjirokastra, kremtoi 21-vjetorin e përfshirjes në listën e Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s, përmes një sërë aktivitetesh artistike dhe kulturore që sollën emocione, krenari dhe festë në të gjithë qytetin.

Në këtë përvjetor të veçantë u nderuan me titullin “Qytetar Nderi” korifeu i polifonisë Roland Çenko dhe mjeshtri i fotografisë Roland Tasho, si shenjë mirënjohjeje për kontributin e tyre në ruajtjen dhe promovimin e vlerave kulturore të Gjirokastrës.

Rrugicat karakteristike, sheshet dhe Pazari i Vjetër u mbushën me tingujt e këngës dhe valleve tradicionale, duke krijuar një atmosferë të veçantë festive. Turistë të huaj dhe vizitorë vendas u bënë pjesë e kremtimit, duke ndarë së bashku emocionet e 21-vjetorit të qytetit muze.

Gjirokastra vazhdon të mbetet një simbol i historisë, kulturës dhe identitetit shqiptar, një qytet që ruan me krenari trashëgiminë e së shkuarës dhe e përcjell atë te brezat e rinj. Përvjetori i 21-të në UNESCO ishte një tjetër dëshmi se qyteti i gurit vazhdon të frymëzojë vizitorë nga e gjithë bota dhe të mbetet një nga destinacionet më të çmuara të trashëgimisë kulturore shqiptare.

Bizneset që reklamohen në rrjetin e TV Apollon

Bëj edhe ti publicitet në TV Apollon

Tel: +355 69 27 56 610

Tel: +355 69 51 27 033