“Festa e Fëmijëve” gjallëron mbrëmjen në Lushnjë, të rinjtë sjellin argëtim dhe buzëqeshje për më të vegjlit.

Parku i gjelbëruar i qytetit të Lushnjës u mbush me buzëqeshje, lojëra dhe atmosferë festive gjatë aktivitetit “Festa e Fëmijëve”, organizuar nga Këshilli Vendor Rinor Lushnjë.

Dhjetëra fëmijë të moshave të ndryshme, të shoqëruar nga prindërit e tyre, u bënë pjesë e kësaj mbrëmjeje argëtuese. Një nga momentet më të veçanta ishte interpretimi artistik i kullonit, i realizuar me mjeshtëri nga djali lushnjar Marsel Zere, i cili solli emocione, të qeshura dhe duartrokitje nga të vegjlit.

Përmes lojërave, këngëve dhe aktiviteteve të ndryshme, fëmijët kaluan një mbrëmje ndryshe, ndërsa anëtarët e Këshillit Vendor Rinor u kujdesën që çdo pjesëmarrës të ndihej pjesë e festës. Prindërit vlerësuan organizimin, duke e cilësuar atë si një nismë të bukur dhe të nevojshme për fëmijët e qytetit.

Por kjo nuk do të jetë nisma e fundit. Organizatorët bëjnë të ditur se gjatë sezonit veror do të zhvillohen aktivitete të tjera për fëmijë dhe qytetarë të çdo moshe, me synimin për t’i dhënë më shumë jetë hapësirave publike dhe për të krijuar momente bashkëpunimi e argëtimi për komunitetin.

Në nisje të aktivitetit, kryetari i Këshillit Vendor Rinor Lushnjë, Albi Hida, u shpreh se ky është vetëm fillimi i një serie projektesh që do të vijojnë gjatë verës, duke theksuar se të rinjtë janë një forcë e rëndësishme për organizimin e iniciativave që sjellin gjallëri dhe vlera në jetën e përditshme të qytetit.

Bizneset që reklamohen në rrjetin e TV Apollon

Bëj edhe ti publicitet në TV Apollon

Tel: +355 69 27 56 610

Tel: +355 69 51 27 033