Në Gjinar të Elbasanit u zhvillua ceremonia përkujtimore në nderim të 31 dëshmorëve të Brigadës së 16-të Sulmuese, emrat e të cilëve janë skalitur në lapidarin përkujtimor.
Në ceremoni morën pjesë përfaqësues të OVP LANÇ nga Elbasani, Gramshi, Librazhdi, Peqini dhe Cërriku.
Të pranishëm ishin edhe Nënkryetarja e Kuvendit dhe deputetja e zonës, Evis Kushi, Kryetari i Bashkisë Elbasan, Gledjan Llatja, si dhe Sekretari i Përgjithshëm i OVP LANÇ “Nderi i Kombit”, Veli Myftari, anëtarët e kryesisë Haxhi Balla dhe Novruz Pepa.
Ceremonia nisi me vendosjen e kurorave në lapidar nga Evis Kushi, Gledjan Llatja, Veli Myftari dhe Haxhi Balla.
Kurora vendosën gjithashtu drejtuesit e komiteteve: nga Elbasani Asim Elezi dhe Gani Hida, nga Gramshi Fiqirete Bici, nga Librazhdi Shefki Bahiti, nga Peqini Agron Rrançi dhe nga Cërriku Sheqere Isallari.
Pas Himnit Kombëtar, ceremonia vijoi me fjalët përshëndetëse.
Evis Kushi vlerësoi rëndësinë e kësaj dite për brezat, ndërsa Gledjan Llatja u ndal te rëndësia historike e ngjarjes për Elbasanin.
Në fjalën e tij, Veli Myftari solli përshëndetjet e Kryesisë së Komitetit Kombëtar dhe kryetares Vera Tarifa, duke theksuar rëndësinë e krijimit të Brigadës së 16-të Sulmuese me pesë batalione nga i gjithë qarku i Elbasanit.
Brigada, me komandant Ngjeli Argjirin dhe komisar Qamol Gyranjakun, kreu detyra të rëndësishme gjatë LANÇ, ndërsa në ceremoninë përkujtimore u përmendën edhe episode të lidhura me Shtabin e Përgjithshëm të UNÇL në Labinot-Mal.
Ceremonia u mbyll me homazhe dhe nderime për dëshmorët.
Nderim për Brigadën e 16-të Sulmuese dhe 31 dëshmorët e saj.