Gara për deputetë: Kandidatët e sigurt në Listën e Kryetarëve dhe ndarja e mandateve në 12 qarqe

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka miratuar projektvendimin për ndarjen e mandateve në zgjedhjet parlamentare të 11 majit, ku për herë të parë do të aplikohet një formulë që kombinon listat e mbyllura dhe të hapura.

Kjo metodë pritet të ndryshojë mënyrën se si formohen listat e deputetëve në 12 qarqet e vendit.

Sipas kësaj formule, 46 deputetët e parë të çdo partie do të përzgjidhen nga lista e mbyllur e caktuar nga kryetari i partisë. Vetëm nëse një parti siguron më shumë mandate sesa përmban lista e mbyllur, deputetët e tjerë do të zgjidhen nga lista e hapur, bazuar në preferencat e qytetarëve. Kjo detyron partitë të paraqesin një numër më të madh kandidatësh se zakonisht, përkatësisht 186 për 140 ulëse në Kuvend.

Në qarkun e Tiranës, i cili përfaqëson zonën më të madhe, do të ndahen 37 mandate. Çdo parti duhet të paraqesë 12 kandidatë në listën e mbyllur dhe 37 në listën e hapur. Nëse një parti fiton 12 mandate, të gjithë emrat e listës së mbyllur të saj futen automatikisht në parlament. Nga ana tjetër, në qarkun e Fierit, i dyti më i madh, partitë duhet të paraqesin 5 kandidatë në listën e mbyllur dhe 16 në listën e hapur, për të garuar për 16 mandate.

Një aspekt i rëndësishëm i këtij sistemi është se, edhe nëse një kandidat i listës së hapur arrin një numër të madh votash, ai mund të mos fitojë një mandat nëse lista e mbyllur ka plotësuar numrin e mandateve të partisë së tij. Për shembull, nëse një kandidat merr 20 mijë vota, por partia e tij ka arritur t’i plotësojë mandate nga lista e mbyllur, votat e tij mbeten pa efekt.

Në zgjedhjet e vitit 2021, në Fier, Partia Socialiste fitoi 9 mandate, Partia Demokratike 6 dhe Lëvizja Socialiste për Integrim 1. Me formulën e re, rezultati do të kishte ndryshuar dukshëm, ku një pjesë e madhe e mandateve do të kishin ardhur nga lista e hapur. Në qarqet Durrës dhe Elbasan, ku zgjidhen 14 deputetë, ndarja do të kishte qenë më fleksibël me më shumë mandate nga lista e hapur.

Sistemi i ri favorizon kryetarët e partive, sidomos në radhët e partive humbëse, pasi ata përcaktojnë renditjen në listën e mbyllur. Ndërkohë, partitë fituese përfitojnë nga një kombinim i kandidatëve të listave të mbyllura dhe mbështetja reale e votuesve për listat e hapura.

Partitë e vogla dhe të reja përballen me sfida të mëdha në këtë sistem. Për të konkurruar, ato duhet të paraqesin një numër të madh kandidatësh, edhe pse probabiliteti për të fituar mandate është shumë i ulët. Në qarqet më të mëdha, nëse një parti e vogël arrin të sigurojë disa mandate, ato do të jenë kryesisht nga lista e mbyllur.

Ky sistem i ri i ndarjes së mandateve ka sjellë reagime të ndryshme, por mbetet për t’u parë se si do të ndikojë në rezultatin përfundimtar të zgjedhjeve parlamentare të 11 majit.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Ndaj Postimin: