Çdo rrjet social ka një fuqi të veçantë — për të ndërtuar një markë, për të kapur audiencë specifike, apo për të rritur shikueshmërinë në mënyrë masive.
Sipas specialistit të marketingut digjital, Said Duleviç, zgjedhja e rrjetit social nuk duhet bërë rastësisht, por në bazë të qëllimit që ndjek çdo individ apo biznes. Ai thekson se për të ndërtuar një brand të fortë dhe vizualisht tërheqës, Instagrami mbetet një nga platformat më efektive.
Nëse synoni të komunikoni me një grup-moshë më të rritur dhe të ruani kontaktet personale apo të biznesit në mënyrë më të ngrohtë, atëherë Facebook-u është zgjedhja më e përshtatshme. Ky rrjet mbetet ende dominues për komunitetet lokale dhe për promovime me karakter tradicional.
Nga ana tjetër, për ata që kërkojnë të arrijnë miliona shikime në një kohë të shkurtër, Duleviç rekomandon fuqishëm TikTok-un. Kjo platformë ka krijuar një hapësirë të fuqishme për përmbajtje virale dhe përhapje të menjëhershme.
Për qëllime më profesionale dhe lidhje në fushën e punës apo biznesit, LinkedIn mbetet platforma ideale. Ajo shërben si një kanal komunikimi për të ndërtuar reputacion dhe për të ndarë njohuri në fusha të ndryshme, duke forcuar profilin profesional të përdoruesve.
Ndërkohë, për të gjithë ata që duan të ndërtojnë një audiencë besnike, që kërkon kohë dhe përkushtim, por që sjell rezultate të qëndrueshme dhe monetarizim real, YouTube është rrjeti më sfidues, por më i plotfuqishmi në afatgjatë.
Në përfundim, zgjedhja e rrjetit social varet nga ajo çfarë kërkoni të arrini. Rrjetet kanë specifika të qarta dhe funksione të ndryshme, ndaj analiza dhe qëllimi janë çelësi i suksesit.


