Forcimi i bashkëpunimit studentor mes universitetit Fan S. Noli dhe universitetit Ismail Qemali

Nga: Ndriçim Gjoshi

Këshilli Studentor i Universitetit “Fan S. Noli” dhe Universiteti “Ismail Qemali” i Vlorës nënshkruan një marrëveshje të rëndësishme bashkëpunimi për të ndërtuar ura të reja partneriteti dhe për të nxitur zhvillimin e studentëve përmes aktiviteteve të përbashkëta, shkëmbimit të përvojave dhe nismave të reja.

Në kuadër të “Forumit të Përbashkët të Këshillave Studentorë”, Këshilli Studentor i Universitetit “Fan S. Noli” zhvilloi një vizitë zyrtare në Universitetin “Ismail Qemali” të Vlorës, ku u nënshkrua zyrtarisht marrëveshja e bashkëpunimit midis dy institucioneve. Kjo marrëveshje ka në thelb ndërtimin e një bashkëpunimi të qëndrueshëm dhe frytdhënës në dobi të studentëve të të dy universiteteve.

Fjorela Bajraktari, presidente e Këshillit Studentor të UNIKO, u shpreh se marrëveshja synon të forcojë komunikimin dhe bashkëpunimin mes këshillave studentore, duke lehtësuar shkëmbimin e ideve, eksperiencave dhe informacionit të dobishëm për studentët. Ajo theksoi rëndësinë e krijimit të “Forumit të Përbashkët të Këshillave Studentorë”, si një hap konkret drejt rritjes së pjesëmarrjes studentore dhe koordinimit të veprimtarive të përbashkëta.

Marrëveshja konsiston në ofrimin e mbështetjes reciproke dhe konsultimeve të vazhdueshme për zhvillimin e nismave me interes të përbashkët, duke synuar fuqizimin e rolit të studentëve në jetën akademike dhe shoqërore. Palët janë zotuar të punojnë së bashku për të promovuar projekte që kanë ndikim pozitiv në përfaqësimin dhe të drejtat e studentëve.

Të pranishëm në këtë takim ishin edhe drejtues të rëndësishëm të universiteteve, përfshirë prof. as. dr. Jonela Spaho, dekanen e FEF, prof. as. dr. Ledina Alolli, dekanen e FE, si dhe pedagogët prof. as. dr. Gjergji Mero dhe dr. Ilir Shyta. Gjatë diskutimeve të zhvilluara, ata vlerësuan lart rolin e bashkëpunimit mes universiteteve për krijimin e mundësive të reja për studentët dhe mbështetjen e nismave që i japin zë përvojave të tyre.

Vizita u shoqërua edhe me aktivitete të ndryshme, ku studentët patën mundësi të vizitonin kampusin modern të Universitetit të Vlorës dhe muzetë e tij, duke u njohur më nga afër me jetën universitare të kolegëve të tyre. Përveç vizitave kulturore, studentët organizuan edhe aktivitete sportive të përbashkëta, të cilat ndihmuan në krijimin e një atmosfere miqësore dhe motivuese.

Kjo marrëveshje hap rrugën për një bashkëpunim të vazhdueshëm dhe të dobishëm, duke synuar që të përfitojnë jo vetëm studentët e përfshirë, por të gjithë komuniteti universitar. Përmes këtyre iniciativave, universitetet shqiptare japin shembullin më të mirë të dialogut, bashkëpunimit dhe përkushtimit për të ardhmen e arsimit të lartë.

Ndaj Postimin: