Serbia nënshkruan kredi rekord për blerjen e avionëve francezë Rafale

Serbia do të marrë afro 1.9 miliardë euro hua nga banka të huaja për të paguar blerjen e 12 avionëve luftarakë Rafale nga Franca, duke e çuar modernizimin e aviacionit ushtarak në një nivel të ri.

Ministri i Financave të Serbisë, Sinisha Malli, njoftoi se vendi ka siguruar një kredi prej rreth 1.9 miliardë eurosh për të përmbushur pagesën e avionëve Rafale të porositur nga Franca. Marrëveshja u konfirmua gjatë një seance të Kuvendit të Serbisë, ku u prezantua edhe marrëveshja e plotë e kredisë.

Sipas Mallit, dy këstet e para për avionët Rafale tashmë janë paguar kompanisë franceze Dassault Aviation. Avioni i parë pritet të mbërrijë në fillim të vitit 2028, ndërsa çdo muaj do të dorëzohet nga një avion tjetër, sipas marrëveshjes mes dy vendeve.

Kjo blerje përfshin 12 avionë luftarakë shumëfunksionalë dhe pajisje të tjera shoqëruese, me një vlerë totale prej 2.7 miliardë euro. Prej kësaj shume, 823.5 milionë euro janë paguar si paradhënie, ndërsa pjesa tjetër do të mbulohet nga kreditë e institucioneve financiare franceze.

Qeveria serbe arriti këtë marrëveshje gjatë vizitës së presidentit Emmanuel Macron në Beograd, në gusht të vitit 2024, duke shënuar një hap historik për aviacionin ushtarak serb që për herë të parë integron avionë perëndimorë në flotën e tij.

Serbia është pjesë e Programit të Partneritetit për Paqe me NATO-n që prej vitit 2006, por mbetet zyrtarisht neutrale në aspektin ushtarak. Autoritetet në Beograd kanë theksuar se blerja e avionëve Rafale nuk nënkupton ndryshim të orientimit strategjik të vendit.

Ministria e Mbrojtjes së Serbisë ka deklaruar se kjo marrëveshje është pjesë e një procesi të modernizimit të ushtrisë, ndërsa bashkëpunimi me Francën shihet si një hap i rëndësishëm drejt forcimit të kapaciteteve mbrojtëse të vendit.

Ndaj Postimin: