Takimi mes Meloni dhe Rama në Tiranë solli vendime konkrete për bashkëpunimin ekonomik, energjetik dhe atë të mbrojtjes mes Italisë dhe Shqipërisë, ndërsa u zyrtarizua mbajtja e samitit të parë ndërqeveritar mes dy vendeve deri në fund të vitit.
Samiti i Komunitetit Politik Europian në Tiranë u shfrytëzua si platformë nga Kryeministrja e Italisë, Giorgia Meloni, dhe Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, për të thelluar marrëdhëniet dypalëshe dhe për të nënshkruar një deklaratë të përbashkët historike. Një ndër arritjet kryesore të takimit është vendosja për organizimin e samitit të parë ndërqeveritar Shqipëri-Itali, i cili do të mbahet në Romë brenda këtij viti.
Gjatë bisedimeve, të dy liderët theksuan rëndësinë e rritjes së bashkëpunimit në fushat e mbrojtjes dhe sigurisë. Ata ranë dakord për furnizimin me mjete dhe teknologji moderne për sigurinë, ndërtimin e infrastrukturës detare dhe mirëmbajtjen e njësive të anijeve në Shqipëri, si dhe nisma të reja për trajnimin teknik dhe profesional të stafit përkatës.
Në deklaratën përfundimtare, u veçua edhe vullneti për të intensifikuar bashkëpunimin në sektorin e energjisë, bazuar në marrëveshjen trepalëshe të firmosur mes Italisë, Emirateve të Bashkuara Arabe dhe Shqipërisë, e cila synon ndërtimin e infrastrukturës për prodhimin dhe transportin e energjisë së pastër drejt Italisë nëpërmjet një ndërlidhësi nëndetës.
Përveç aspekteve ekonomike dhe energjetike, palët kanë rënë dakord të bashkëpunojnë ngushtë në luftën kundër migracionit të parregullt, duke krijuar një grup të përbashkët pune dhe forcuar aftësitë e patrullimit detar të Shqipërisë. Po ashtu, është njoftuar finalizimi i një marrëveshjeje kornizë që lehtëson funksionimin e Cassa Depositi e Prestiti në Shqipëri si institucion financiar për zhvillim.
Ndër fushat prioritare të identifikuara për thellim bashkëpunimi përfshihen edhe shëndetësia, mbrojtja civile, mjedisi, zhvillimi ekonomik dhe trajnimi profesional, veçanërisht në mbështetje të procesit të integrimit europian të Shqipërisë. Lidhur me këtë, është vendosur që të dy vendet të përgatisin së bashku projekte dhe iniciativa të reja.
Në kuadër të forcimit të lidhjeve ekonomike, është planifikuar krijimi i një qendre panairesh tregtare në Tiranë, me emrin “ExpoAlbania”, ndërsa është theksuar rëndësia e zhvillimit të industrisë së peshkimit dhe rritjes së bashkëpunimit mes ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme shqiptare dhe italiane.
Samiti i Tiranës u përmbyll me një vlerësim të veçantë për fillimin e Giro d’Italia nga Shqipëria, që u cilësua si simbol i lidhjeve të forta kulturore dhe sportive mes dy vendeve, duke shënuar një hap të rëndësishëm drejt një partneriteti të ri strategjik mes Romës dhe Tiranës.