Florent Muslija pas barazimit me Zvicrën: “E treguam veten, tani synojmë play-offin”

Mesfushori i Kosovës, Florent Muslija, u shpreh i kënaqur pas barazimit ndaj Zvicrës, duke theksuar se ekipi tregoi forcë, karakter dhe besim përpara sfidave të marsit.

Pas përfundimit të ndeshjes, Muslija deklaroi se rezultati ndaj Zvicrës ishte i rëndësishëm për moralin e skuadrës, duke theksuar se ky barazim tregon qartë nivelin konkurrues të Kosovës.

“E rëndësishme është që nuk u mposhtëm nga Zvicra. Kemi dëshmuar që mund të luajmë kundër tyre,” u shpreh ai, duke nënvizuar se skuadra e Kosovës është rritur dhe nuk i frikësohet askujt.

Mesfushori shtoi se ky rezultat është një burim i madh motivimi për ekipin. “Jam shumë i lumtur. Është shumë motivuese që nuk kemi humbur. Tani kemi play-offin në mars dhe shpresojmë të kemi fat,” tha Muslija, duke vlerësuar punën dhe përpjekjen e skuadrës.

Ai theksoi se ekipi ka treguar vlerat e një Kombëtareje të vërtetë dhe se çdo lojtar ka dhënë maksimumin. “E kemi merituar vendin ku jemi. Besojmë se mund të arrijmë më shumë,” u shpreh ai.

Muslija shtoi se ka vetëbesim të plotë në aftësitë e tij dhe në kontributin që mund t’i japë Kosovës në ndeshjet vendimtare të marsit. “E di që mund të luaj dhe të ndihmoj ekipin,” tha ai, duke mbyllur prononcimin me optimizëm të qartë për të ardhmen e Kombëtares së Kosovës.

Ndaj Postimin: