Flamurtari zyrtarizon trajnerin italian pas largimit të Karlos Garsias

Flamurtari prezanton Françesko Morieron si trajnerin e ri, një emër me eksperiencë të gjatë në futbollin italian dhe në Seria A.

Klubi vlonjat ka zyrtarizuar sot trajnerin e ri, duke i dhënë fund periudhës së shkurtër të pasigurisë pas ndarjes me Karlos Garsian. Flamurtari ka vendosur t’i besojë pankinën Françesko Morieros, një emër i njohur për tifozët e futbollit italian, si ish-lojtar dhe tashmë si teknik me përvojë të gjerë.

Moriero, 56 vjeç, ka një karrierë të pasur në Seria A, ku ka luajtur për skuadra të njohura dhe ka ndërtuar reputacionin e një profesionisti të përkushtuar. Flamurtari e ka prezantuar zyrtarisht, duke nënvizuar përvojën dhe vizionin që italiani sjell për ekipin.

Në komunikatën zyrtare, klubi vlonjat shprehet: “Me kënaqësi njoftojmë emërimin e Francesco Moriero si trajner të ri të skuadrës sonë. Ai sjell profesionalizëm, pasion dhe një vizion të qartë për zhvillimin e ekipit.”

Moriero rikthehet kështu në Kategorinë Superiore, pasi sezonin e kaluar drejtoi Laçin, skuadër që për fat të keq përfundoi me rënie nga kategoria. Megjithatë, eksperienca e tij në fushat italiane shihet si një vlerë e shtuar për Flamurtarin, i cili kërkon stabilitet dhe sukses në këtë sezon.

Burime nga klubi bëjnë të ditur se objektivi kryesor është ngritja në nivele më të larta konkurruese dhe ndërtimi i një ekipi me bazë solide. Moriero pritet të sjellë stilin e tij të veçantë të lojës, që ndërthur disiplinën taktike me kreativitetin në fushë.

Me këtë lëvizje, Flamurtari jep sinjal të qartë për ambiciet e tij në sezonin e ri. Tifozët kanë pritur me entuziazëm rikthimin e një emri ndërkombëtar në stolin vlonjat dhe shpresojnë që ky bashkëpunim të rikthejë klubin në majat e futbollit shqiptar.

Ndaj Postimin: