Kushdo që kalon sot nga Gryka e Këlcyrës mund të vështrojë nga larg rrënojat e Sarajeve dikur të famshme të Bejlerëve të Këlcyrës, një prej familjeve feudale më me ndikim dhe jetëgjata të Jugut të Shqipërisë.
Ka shumë mundësi që kjo familje, e cila shtrinte ndikimin deri në Greqinë Otomane, të ketë rrënjët që nga mesjeta bizantine. Mbi sarajet e dikurshme, që sot janë rrënoja, ndodhet një fortifikim antik që nuk është studiuar ende mirë, por është përmendur nga figura të njohura të arkeologjisë si Nicholas Hammond dhe Hasan Ceka.
Sarajet e Këlcyrajve u dogjën nga ushtria greke gjatë Luftës Ballkanike, dhe për më shumë se një shekull kanë mbetur të rrënuara. Një nga emrat më të njohur të kësaj familjeje, Ali Bej Këlcyra, një figurë politike e njohur dhe rebel i shekullit të 20-të, nuk arriti t’i rindërtonte. Për shkak të mërgimit të tij, kryesisht si pasojë e kundërshtarëve politikë si Mbreti Zog dhe më pas Enver Hoxha, ai nuk pati mundësi të kujdesej për këto ndërtesa. Megjithatë, gjatë Luftës së Dytë Botërore, Ali Bej hapi disa dyqane në Këlcyrë, të cilat sot janë po ashtu rrënoja dhe të rrethuara nga ndërtimet kaotike të periudhës post-90s.
Restaurimi dhe konservimi i Sarajeve të Këlcyrajve do të ishin një kontribut i madh për trashëgiminë kulturore shqiptare, jo vetëm për arkitekturën unike të këtyre godinave, por edhe për historinë e gjatë dhe rolin e tyre në çështjet shqiptare. Kjo familje është ndër të paktat që nga mesjeta e deri më sot vazhdon të identifikohet me këtë rajon. Restaurimi do të përfaqësonte një ngjarje të rëndësishme për trashëgiminë tonë kombëtare.
Së fundmi, është publikuar një video nga Bashkia e Këlcyrës dhe Fondi i Zhvillimit, ku prezantohet “projekti” i restaurimit të Sarajeve. Në një vend normal, kushdo që do kishte propozuar një ndërhyrje të tillë jo vetëm që do të kishte humbur të drejtën për të punuar në këtë fushë, por me shumë gjasa do të përballej edhe me pasoja të tjera. Dukej si shaka kur pyeta nëse projekti i bujshëm për restaurimin e Sarajeve ishte konsultuar me ndonjë specialist të trashëgimisë. M’u tha se jo vetëm që nuk ishin pyetur specialistët, por madje instituti i Monumenteve ishte pothuajse inekzistent në këtë çështje.
Më shumë hulumtim më bëri të zbuloj se ideja fillestare ishte për të ndërtuar një kazino-hotel turistik nga një biznes i njohur në fushën e ndërtimeve, por duket se ai investitor është tërhequr. Meqë plani i kthimit të Sarajeve në një pikë biznesi nuk funksionoi, duket se Fondi ose dikush pas tij ka propozuar një ndërhyrje që nuk mund të quhet “restaurim.”
Planet për të ndërtuar një rrugë për autobusët turistikë ose një kinema verore në rrënoja janë thjesht qesharake dhe tregojnë se sa larg është devijuar vizioni për trashëgiminë kombëtare. Nuk ka kuptim të diskutojmë për gërmime arkeologjike, studime ose rilevime të peizazhit kur vetëm një vështrim mbi atë kioskën alpine mbi rrënojat na tregon qartë se ku ka përfunduar trashëgimia jonë kulturore.