Stop Trafikimit të qënieve njerëzore. Bashkia Shkodër takim sensibilizues.

Stop Trafikimit të qënieve njerëzore. Bashkia Shkodër takim sensibilizues.

Sot, në kuadër të Ditës Europiane Kundër Trafikimit të Qenieve Njerëzore, u mbajt një manifestim me temën “Nga Ndërgjegjësimi në Vepra, Bashkohuni në Luftën Kundër Trafikimit” në qytetin e Shkodrës.

Ky event mblodhi së bashku të rinj, përfaqësues të organizatave ndërkombëtare, trupit diplomatik, institucioneve shtetërore dhe organizatave të shoqërisë civile, për të rritur ndërgjegjësimin mbi këtë çështje të rëndësishme. Trafikimi i personave, kryesisht i grave dhe vajzave, mbetet një problem i madh në Shqipëri, megjithë përpjekjet që janë bërë deri më tani.

Ministri i Brendshëm, Ervin Hoxha, gjatë fjalës së tij në manifestim, theksoi rëndësinë e bashkëpunimit të të gjithë aktorëve për të luftuar këtë fenomen të dhimbshëm. “Duhet të bashkojmë përpjekjet tona, duke përfshirë të gjithë, nga strukturat shtetërore te ato jo shtetërore, si dhe organizatat kombëtare dhe ndërkombëtare të shoqërisë civile,” tha ai. Gjithashtu, ai përmendi se Plani Kombëtar i Veprimit 2024-2025 tregon angazhimin e qeverisë për të luftuar trafikimin dhe për të mbrojtur viktimat.

Amelia Hintzen, nga Ambasada Amerikane në Tiranë, foli për rëndësinë e bashkëpunimit ndërkombëtar në këtë luftë. Ajo vlerësoi përpjekjet e Shqipërisë dhe theksoi se qeveria amerikane mbetet një aleat i fortë në këtë drejtim. “Është e rëndësishme që të rritet numri i rasteve të hetuara dhe të dënuara, si dhe të mbrohen më mirë viktimat e trafikimit,” tha ajo.

UNICEF raportoi se vitin e kaluar në Shqipëri u identifikuan 110 viktima të mundshme të trafikimit, ndërsa përfaqësuesja e koalicionit “URA”, Enkeleida Kallçiu, theksoi nevojën për më shumë ndërgjegjësim dhe mbështetje për ata që janë më të rrezikuar. Ndërsa strehëzat për gratë dhe vajzat viktima të trafikimit vazhdojnë të ofrojnë ndihmë dhe mbështetje, sot u riaktivizua edhe linja kombëtare falas 116 006, ku qytetarët mund të denoncojnë raste të trafikimit dhe të kërkojnë ndihmë.

Ndaj Postimin: