Nga drejtimi i Antikontrabandës te kreu i Doganave Shqiptare. Fation Shehu merr një nga detyrat më të rëndësishme të administratës publike, duke sjellë me vete përvojën institucionale, formimin juridik dhe një karrierë të lidhur me luftën kundër kontrabandës dhe krimit të organizuar.
Këshilli i Ministrave ka zyrtarizuar emërimin e Fation Shehut në krye të Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave, një institucion kyç për ekonominë, financat dhe sigurinë e vendit.
Shehu nuk është një emër i panjohur për strukturat doganore. Për katër vite, ai ka drejtuar Antikontrabandën, ku është angazhuar në forcimin e kontrolleve dhe luftën kundër veprimtarive të paligjshme.
Një prej vlerësimeve më të rëndësishme për punën e tij ishte Çmimi i Parë i akorduar vitin e kaluar nga SELEC, Qendra për Zbatimin e Ligjit në Evropën Juglindore, në vlerësim të arritjeve në luftën kundër kontrabandës dhe krimit të organizuar.
Përtej përvojës në terren dhe drejtimit të strukturave operative, Shehu ka edhe formim juridik, njohuri të thelluara të legjislacionit dhe eksperiencë në trajnime pranë organizatave ndërkombëtare.
Kombinimi i njohurive ligjore me përvojën menaxheriale dhe institucionale përbën një pjesë të rëndësishme të profilit të tij profesional.
Tashmë, sfida e radhës është shumë më e gjerë. Në krye të Doganave Shqiptare, Shehu do të përballet me përgjegjësinë për rritjen e eficiencës, forcimin e kontrollit, luftën kundër informalitetit dhe modernizimin e administratës doganore.
Një institucion me peshë të drejtpërdrejtë në të ardhurat e buxhetit të shtetit dhe në sigurinë ekonomike të vendit, ku rezultatet e drejtimit të ri do të jenë në vëmendjen e publikut.
Nga Antikontrabanda te drejtimi i gjithë administratës doganore, Fation Shehu nis një kapitull të ri në karrierën e tij institucionale. Një detyrë e re, përgjegjësi të mëdha dhe sfida që do të kërkojnë rezultate konkrete.