Kryefamiljarja familjes ne nevoje ,Eleni Lako, së bashku me dy vajzat e saj, Rozeta dhe Irma, përballen çdo ditë me varfëri ekstreme, probleme të rënda shëndetësore dhe mungesën e kushteve minimale te jeteses. Banesa ku jetojnë është e amortizuar, pa dyer e dritare funksionale, ndërsa çatia e dëmtuar rrezikon të shembet në çdo moment.
Tre anëtaret e familjes i janë drejtuar Televizionit Apollon për të bërë publike gjendjen dramatike në të cilën ndodhen. Sipas tyre, shpesh kalojnë ditë dhe net pa ushqim, ndërsa mungesa e të ardhurave nuk u mundëson të blejnë ilaçet e domosdoshme për nënën dhe njërën prej vajzave, të cilat vuajnë nga probleme shëndetësore dhe kanë nevojë për trajtim të vazhdueshëm sipas rekomandimeve të mjekëve.
Pas ndarjes nga jeta të kryefamiljarit disa vite më parë, familja Lako ka mbetur pa mbështetje dhe jeton në mjerim të plotë. Të ardhurat e vetme qe sigurohen nga mbledhja dhe shitja e materialeve të riciklueshme, nuk mjaftojnë as për nevojat më elementare të jetesës. Gjendja e rënduar ekonomike, e shoqëruar me problemet shëndetësore, ua ka bërë edhe më të vështirë jeten.
Familjarët shprehen se ndihen të braktisur nga pushteti lokal dhe deputetet e partise ne pushtet qe nuk po u japin mbeshtetjen dhe ndihmen e premtuar gjate fushates elektorale.Ata u bëjnë thirrje institucioneve përgjegjëse, Bashkisë Fier, organizatave humanitare, shoqatave bamirëse, biznesit dhe çdo qytetari me mundësi që t’u ofrojnë ndihmë. Sipas tyre, çdo kontribut, sado i vogël, është jetik për mbijetesën, ndërsa nevoja më urgjente mbetet rikonstruksioni i banesës, në mënyrë që të kenë një strehë të sigurt dhe kushte minimale jetese.
Familja Lako jeton ne varferi esktreme, apelon per ndihme!