Ermela Teli çmonton propagandën komuniste në filmin “Në Parajsën Socialiste”

Aktorja dhe regjisorja Ermela Teli ka shfaqur në Tiranë filmin dokumentar “Në Parajsën Socialiste (nuk bie shi)”, një projekt që shqyrton dhe çmonton format dhe përmbajtjet e propagandës komuniste.

Ky film i realizuar përmes një rrëfimi audiovizual të thellë, shkon përtej artit dhe filmit, duke analizuar mënyrat se si propaganda ka formësuar shoqërinë dhe ka manipuluar perceptimet e jetës dhe historisë.

Ermela Teli është kthyer në Tiranë për të paraqitur këtë film në kuadër të Javës Zvicerane të Kulturës. Filmi i saj është një reflektim i thellë mbi ndikimin e propagandës në art, film, muzikë dhe përvojat personale, duke përdorur imazhe nga Kinostudio “Shqipëria e re” dhe intervista me studiues të ndryshëm të disiplinave artistike. Teli shqyrton sesi propaganda komuniste ka krijuar një realitet të manipuluar, duke i dhënë formë jetës dhe shoqërisë.

Në filmin dokumentar, Teli përfshin edhe një video familjare, ku përshkruhen festat e Vitit të Ri nën regjimin komunist. Ajo tregon sesi imazhet e jetës “të lumtur” që ofronte propaganda, filluan të zhbëheshin kur ajo pa babain e saj në burg, një moment që shkatërroi iluzionin e realitetit të parajsës socialiste.

Pjesë e filmave janë edhe fjalime nga emra të njohur të artit dhe kulturës, të cilët janë paraqitur përpara zyrtarëve të lartë të regjimit komunist. Këto fjalime, shpesh të shoqëruara me censurë dhe manipulime, tregojnë se si artin dhe kulturën i është imponuar një ideologji e caktuar, duke formësuar një realitet të rremë dhe duke ndikuar drejtpërdrejt në jetën e individëve.

Nëpërmjet këtyre imazheve dhe sekuencave filmike, Teli bën të qartë se propaganda komuniste, megjithëse mund të krijonte një “lumturi të imponuar”, ishte gjithashtu një mekanizëm për të kontrolluar dhe shkatërruar lirinë e individëve, duke i kthyer ata në “objekte” të një ideologjie të diktaturës. Filmi pasqyron se si “parajsa socialiste” mund të ishte një shpërqendrim i ndjenjave dhe të vërtetave të jetuara, dhe si ky manipulim vazhdon të ndikoje në mënyrën se si shikohet e shkuara.

Në fund, “Në parajsën socialiste (nuk bie shi)” është një reflektim mbi mënyrën se si regjimi i kaluar, me propagandën e tij, ka mbjellë pasiguri dhe ka imponuar një rend të rremë, ndërsa i jep një pamje të ndritshme një realiteti që ishte, në të vërtetë, i mbushur me vuajtje dhe abuzime.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Ndaj Postimin:

Postime të tjera