Elon Musk: Robotët humanoidë për përdorim shtëpiak pritet të dalin në treg vitin e ardhshëm

Elon Musk ka deklaruar se robotët humanoidë të zhvilluar nga kompanitë e tij pritet të dalin në treg për publikun e gjerë deri në fund të vitit të ardhshëm. Deklarata u bë gjatë paraqitjes së tij të parë në Forumin Ekonomik Botëror në Davos.

Sipas Musk, deri në atë periudhë do të jetë arritur një nivel i lartë sigurie dhe besueshmërie, që do t’i bëjë robotët të përshtatshëm për përdorim të përditshëm në familje.

“Deri në fund të vitit të ardhshëm, mendoj se do të nisim shitjen e robotëve humanoidë për publikun. Në atë moment do të kemi besim të plotë në nivelin shumë të lartë të sigurisë dhe besueshmërisë, si edhe në gamën e gjerë të funksioneve. Praktikisht, do të mund t’i kërkosh të bëjë pothuajse çdo gjë”, u shpreh Musk.

Ai theksoi se robotët humanoidë mund të përdoren për kujdesin ndaj fëmijëve, kafshëve shtëpiake dhe prindërve të moshuar, duke i cilësuar si një ndihmë të rëndësishme për jetën e përditshme.

“Nëse do të kemi miliarda robotë humanoidë, çdo njeri në Tokë do të ketë nga një dhe do ta dëshirojë. Të kesh një robot që të kujdeset për fëmijët, për kafshët shtëpiake apo për prindërit e moshuar, do të ishte diçka e jashtëzakonshme”, deklaroi ai.

Gjatë fjalës së tij, Musk parashikoi gjithashtu se zhvillimi i inteligjencës artificiale do të çojë në krijimin e modeleve më të zgjuara se njeriu brenda një afati shumë të shkurtër.

“Mendoj se deri në fund të këtij viti mund të kemi inteligjencë artificiale më të zgjuar se çdo njeri, dhe jo më vonë se viti i ardhshëm”, tha Musk, duke shtuar se rreth viteve 2030–2031, inteligjenca artificiale mund të tejkalojë inteligjencën e gjithë njerëzimit të marrë së bashku.

Ai e përmbylli fjalimin duke theksuar se preferon optimizmin ndaj pesimizmit, edhe nëse parashikimet rezultojnë më optimiste se realiteti.

Bizneset që reklamohen në rrjetin e TV Apollon

Bëj edhe ti publicitet në TV Apollon

Tel: +355 69 27 56 610

Tel: +355 69 51 27 033