Ikonat e vjedhura nga Labova e Kryqit rikthehen pas 14 vitesh në Kishën Ortodokse

Ikonat e vjedhura nga kisha “Fjetja e Shën Mërisë” në Labovën e Kryqit i janë rikthyer Kishës Ortodokse pas 14 vitesh mungesë. Rikthimi u bë i mundur falë një operacioni të Policisë së Shtetit dhe bashkëpunimit institucional me Ministrinë e Turizmit, Kulturës dhe Sportit dhe Institutin Kombëtar të Regjistrimit të Trashëgimisë Kulturore.

Ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja, i cili priti në një takim Kryepeshkopin Joan, e cilësoi këtë rikthim si një akt drejtësie historike dhe shpirtërore. Ai theksoi se rasti dëshmon rëndësinë jetike të regjistrimit të pasurive kulturore për identifikimin dhe mbrojtjen e tyre nga trafikimi.

Gjatë takimit u diskutua gjithashtu për punët konkrete që po kryhen nga institucionet përgjegjëse për restaurimin dhe ruajtjen e kishave dhe manastireve që janë monumente kulture, si dhe për forcimin e bashkëpunimit me komunitetet fetare si kujdestarë të trashëgimisë kulturore.

Kryepeshkopi Joan shprehu mirënjohjen e tij për rikthimin e ikonave, duke theksuar se mbrojtja e trashëgimisë kulturore dhe identitetit është një detyrim i përbashkët dhe një vlerë themelore për identitetin europian të vendit.

Bizneset që reklamohen në rrjetin e TV Apollon

Bëj edhe ti publicitet në TV Apollon

Tel: +355 69 27 56 610

Tel: +355 69 51 27 033