Ekzekutimi i biznesmenit në Selitë: Hetime të reja dhe zbërthimi i telefonit të viktimës

Dy ditë pas vrasjes së Bujar Nasufit në Selitë, Policia e Tiranës ka rifilluar marrjen në pyetje të familjarëve të tij.

Sipas burimeve të siguruara për gazetarët, gjatë dëshmisë së tyre, ata nuk kanë zbuluar detaje lidhur me konfliktet që 56-vjeçari mund të ketë pasur. Madje, familjarët janë shprehur të rezervuar kur janë pyetur nga hetuesit për çështje si konflikte biznesi apo ndonjë problematikë pronësie.

Policia ka filluar një hetim intensiv në terren për të gjetur prova që mund të çojnë në identifikimin e autorit. Telefoni i viktimës është dërguar për ekspertizë në policinë shkencore, ku pritet të analizohen komunikime që mund të zbulojnë informacion të rëndësishëm. Ndërkohë, hetuesit kanë hapur edhe disa kamera sigurie, të cilat mund të ndihmojnë në verifikimin e lëvizjeve të autorit disa ditë para ngjarjes.

Megjithatë, për momentin, nuk ka dalë asnjë provë konkrete nga pamjet e sigurisë, ndërsa motori dhe arma e përdorur janë shkatërruar. Policia nuk ka arritur të mbledhë prova të vlefshme nga ato sende, pasi autori i ka djegur ato në një tunel, gjë që e ka vështirësuar ndjeshëm gjurmimin. Po ashtu, reshjet e shiut në ditët e fundit kanë ndikuar që të mos mbeten gjurmë të qarta në terren.

Hetimet vazhdojnë me shpresën se mund të zbulojnë fakte të reja që do të ndihmojnë në zbardhjen e ngjarjes dhe identifikimin e autorit të krimit.

Ndaj Postimin:

Postime të tjera