Komunizmi vrau intelektualët, heronjtë dhe ndërgjegjen kombëtare, duke ngritur mbi gënjeshtra një histori që mohoi figurat më të ndritura të Shqipërisë.
Historia e Shqipërisë u përmbys pas ardhjes së regjimit komunist, kur në vend të burrave që mbrojtën atdheun, u ngritën në piedestal vrasësit, spiunët dhe shërbëtorët e Beogradit. Ata që u sakrifikuan për kombin, si Prek Cali e Isa Boletini, u shpallën “tradhëtarë”, ndërsa kriminelët që vranë shqiptarë u quajtën “heronj të popullit”. Ishte kjo propaganda e zezë e komunizmit që për gjysmë shekulli deformoi historinë dhe vrau kujtesën e kombit.
Prek Cali, burri i gjatë me plis në kokë, mbeti simbol i trimërisë dhe besnikërisë ndaj kufirit shqiptar. Ai u përball me serbët dhe malazezët për të mbrojtur tokën e vet, por në fund u vra me pabesi nga komunistët shqiptarë në bashkëpunim me forcat serbe. Një hero që u tradhtua nga vetë vendi i tij, ashtu si Shaban Polluzha në Kosovë. Komunizmi nuk njohu nderin e luftëtarëve, por u hakmor ndaj çdo shqiptari që mendonte ndryshe nga Enver Hoxha.
Krimineli Hoxha dhe shokët e tij, në bashkëpunim me Beogradin, shkatërruan vlerat më të mëdha të kombit. Ata zhdukën elitën e veriut, pushkatuan priftërinj, shkrimtarë, mësues dhe atdhetarë që ishin shtylla e shoqërisë shqiptare. Brenda vetëm pak vitesh, nga Shkodra e ndritur dhe atdhetare nuk mbeti gjë tjetër veçse frikë dhe heshtje. Në emër të “popullit”, ata dogjën bibliotekat, shkatërruan kishat, dhe pushkatuan dijen e kombit.
Regjimi komunist i Enver Hoxhës krijoi heronj fallco, që kishin duart me gjak. Çfarë ishin Vasil Shanto, Vojo Kushi, Sadik Stravaleci, Mehmet Shehu apo Koçi Xoxe, përveç vrasësve të shqiptarëve? Mehmet Shehu, për shembull, në nëntor të vitit 1944, ekzekutoi 60 qytetarë intelektualë në Hotel Bristol vetëm në një ditë. Këta nuk ishin çlirimtarë, por ekzekutorë që punonin për interesat e partisë dhe të Titos.
Në anën tjetër, familja Boletini u bë simbol i martirizimit kombëtar. Qysh në vitin 1943, komunistët shkodranë të udhëhequr nga Vasil Shanto vranë me atentat nënkolonel Adem Boletinin, djalin e tretë të Isës, i diplomuar në Akademinë Ushtarake të Vjenës. Që atëherë, hakmarrja sllavo-komuniste ndaj familjes Boletini vazhdoi me vrasje, burgosje dhe internime. Nga kjo familje u vranë 15 anëtarë, ndërsa dhjetë të tjerë kaluan dekada në burgje.
Në vend që të nderonin sakrificën e këtyre burrave, komunistët ngritën monumente për ata që ndihmuan pushtimin ideologjik dhe politik të Shqipërisë. Ata që i shërbyen Beogradit u shpallën “shpëtimtarë”, ndërsa ata që luftuan për pavarësi u quajtën “armiq të popullit”. Ky është absurdi historik që ende sot kërkon drejtësi.
Komunizmi nuk solli liri, por robëri shpirtërore e kulturore. Ai vrau atdhetarët, dogji rrënjët e dijes dhe e mbushi vendin me frikë. Por koha po e shkrin këtë mjegull gënjeshtre. E vërteta për Prek Calin, Isa Boletinin dhe qindra patriotë të tjerë po del në dritë, për t’u kujtuar brezave se kush ishin vërtet bijtë e ndershëm të Shqipërisë dhe kush ishin ata që e shitën kombin për pushtet.


