Policia ka zbuluar dy ambiente të përshtatura për kultivimin e kanabisit në fshatin Barbullush, në Bashkinë Vau i Dejës, ku si rezultat i një operacioni të koordinuar është arrestuar një 31-vjeçar dhe janë shpallur në kërkim katër persona të tjerë. Në të njëjtën çështje janë ndaluar edhe tre punonjës të OSHEE-së, të dyshuar për shpërdorim detyre.
Operacioni policor, i koduar “Neonët”, u zhvillua në kuadër të masave kundër kultivimit të bimëve narkotike në ambiente të mbyllura. Gjatë ndërhyrjes, shërbimet e Policisë arrestuan në flagrancë shtetasin Aurel Çela, 31 vjeç, banues në Shkodër, ndërsa shpallën në kërkim shtetasit Gj. G., 46 vjeç, L. G., 53 vjeç, E. G., 43 vjeç dhe M. G., 51 vjeç, të gjithë banues në Barbullush.
Nga kontrollet e ushtruara në dy banesa të përshtatura për kultivimin, tharjen dhe përpunimin e kanabisit, u sekuestruan 583 bimë të dyshuara narkotike kanabis, 7 kilogramë e 490 gramë lëndë narkotike kanabis, 307 pajisje elektrike të përdorura për kultivim, si dhe tre telefona celularë.
Në vijim të veprimeve procedurale, u ndaluan edhe shtetasit Flogert Hila, 31 vjeç, banues në fshatin Ashtë, Aleksandër Gjovalini, 46 vjeç, banues në Barbullush, dhe Zef Nikolli, 27 vjeç, banues në fshatin Mali i Jushit, punonjës të OSHEE-së. Ata dyshohen për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”, e kryer në bashkëpunim.
Sipas Policisë, hetimet vijojnë për dokumentimin e plotë të kësaj veprimtarie kriminale dhe për kapjen e personave të shpallur në kërkim. Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Shkodrës për veprime të mëtejshme ligjore.