Dikur, në Dumre, duhani ishte më shumë se njëkulturë bujqësore. Ishte puna që mbante familje të tëra. Sot, kjo traditë po tkurret çdo vit, mes mungesës së ujit, temperaturave të larta dhe një problemi tjetër që po bëhet gjithnjë e më i madh: mungojnë punëtorët.
Në tokat e Belshit, disa fermerë ende vazhdojnë ta mbjellin duhanin. Por pas çdo gjetheje fshihet një vit i tërë pune. Mbjellje, vaditje, vjelje dhe përpunim, në një kulturë që nuk fal neglizhencë.
Një kilogram duhan shitet rreth 600 lekë të reja. Në pamje të parë, një çmim që duket i leverdishëm. Por fermerët thonë se fitimi vihet në provë nga kostot dhe mungesa e ujit.
“Punën e do në mëngjes herët, do terezinë e vet. Po s’pati vaditje, nuk ecën. Tokat janë këtu, por s’kemi ujë. Me shumë mundim. Nga shteti? Asgjë.”
Dhe në kohën e vjeljes, një tjetër vështirësi. Duart që dikur mbushnin arat sot mungojnë.
Një fermer tregon se një sezon i vetëm mund të sjellë deri në 10–15 kuintalë prodhim, por pas shifrave që mund të duken të mëdha fshihet një vit punë.
“Ky ka një vit punë, 364 ditë. Ka shumë punë. Jemi shumë të pakënaqur. Punojmë vetëm.”
Në Dumre prodhohen rreth 50 tonë duhan në vit, një pjesë e madhe e të cilit largohet drejt tregjeve evropiane.
Por për fermerët, tregu nuk mjafton. Pa ujë për vaditje, pa fuqi punëtore dhe pa mbështetje, kjo kulturë rrezikon të humbasë nga tokat e Dumresë.
Dhe bashkë me duhanin, mund të shuhet edhe një traditë që për dekada ka qenë pjesë e jetës dhe ekonomisë së familjeve të kësaj zone.