Dosja SASPAC: Dështon seanca paraprake, avokatët kërkuan të njihen me një pjesë të provave! Seanca e radhës për Beqajn dhe të tjerët do të mbahet më 6 maj

Ka dështuar seanca paraprake për dosjen e SASPAC, ku të pandehur është ish-drejtori i Agjencisë, Ilir Beqaj. Avokatët e të pandehurve kërkuan të njihen me një pjesë të provave që ende nuk ishin dhënë gjatë hetimit. Ata kërkuan që të kenë akses në këto prova për të garantuar një mbrojtje më efikase gjatë shqyrtimit gjyqësor. Një tjetër kërkesë që u bë në seancë ishte që të merreshin materialet e akt-ekspertimit, të cilat përfshijnë zbërthimin e telefonave, USB-ve dhe kompjuterave të sekuestruar. Kjo kërkesë u miratua dhe seanca e radhës do të mbahet më 6 maj, në orën 10:00.

SPAK mbylli hetimet për këtë dosje në fillim të muajit prill dhe e dërgoi kërkesën për gjykim ndaj Ilir Beqajt, 8 të pandehurve të tjerë dhe dy shoqërive tregtare të përfshira në skandalin e SASPAC. Hetimet e zhvilluara nga SPAK kanë zbuluar abuzime të shumta me fonde publike, përfshirë korrupsionin dhe tendera fiktivë.

Ilir Beqaj, ish-kreu i menaxhimit të fondeve të BE dhe ish-ministër i Shëndetësisë, akuzohet për pesë vepra penale, përfshirë korrupsionin pasiv, shkeljen e barazisë në tendera, falsifikimin e dokumenteve, mashtrimin dhe mosdeklarimin e pasurisë. Në veçanti, Beqaj është akuzuar për fshehjen e pasurisë, përfshirë 50% të kuotave të restorantit “Gzona”, një apartament në Vlorë dhe një makinë. Akuzat e tjera përfshijnë shkelje të rregullave të tenderimit në projekte të fondeve të BE-së.

Vetëm për akuzën e korrupsionit, që është më e rëndë, ish-ministri mund të përballet me një dënim që varion nga 4 deri në 12 vjet burg. Po ashtu, të njëjtat akuza rëndojnë edhe ndaj Ermal Kurtulajt, një bashkëpunëtori i ngushtë i Beqajt, i cili dyshohet se ka ndihmuar në realizimin e tenderave fiktivë gjatë periudhës 2022-2023. Sipas SPAK, paratë që rrjedhën nga këto tendera përfunduan në xhepat e Beqajt dhe të tjerë.

Gjithashtu, ndaj shtatë të akuzuarve të tjerë – Marinela Jazoj, Alfred Nikolla, Gazmend Haxhia, Elton Marini, Bjona Ziaj, Bledar Leka, dhe Mira Topçiu – rëndojnë akuza për mashtrim, falsifikim dhe korrupsion aktiv. Dy shoqëritë, “Landëays International” dhe “Nine Service Int”, janë gjithashtu të përfshira në këtë skandal.

Në lidhje me abuzimet me fondet e SASPAC, Beqaj ndodhet në burg që prej korrikut 2024. Përveç kësaj dosjeje, ndaj tij po zhvillohet një tjetër proces gjyqësor për koncesionin e sterilizimit. Për këtë çështje, SPAK ka vendosur sekuestro preventive mbi disa pasuri, përfshirë një apartament të dyshuar të fshehur nga Beqaj, 3 llogari bankare të të pandehurve me një vlerë të përgjithshme prej rreth 200 mijë euro, 19.4% të aksioneve të restorantit “Gzona”, dhe tre automjete.

Ndaj Postimin: