Detaje të reja nga tragjedia e Xhuana Nikollajt, 25-vjeçarja dyshohet se u dhunua nga ish-bashkëshorti para aktit ekstrem

Zbardhen detaje të reja nga ngjarja tragjike e ndodhur më 9 mars në Tiranë, ku 25-vjeçarja Xhuana Nikollaj humbi jetën pasi konsumoi fostoksinë. Para aktit ekstrem, e reja kishte lënë një letër lamtumire për familjen e saj.

“Nuk duroj dot më! Më vjen keq që iu kam mërzitur, por më besoni që nuk iu kam koritur kurrë. Faleminderit për çdo gjë që keni bërë për mua!”, shkruante ajo në mesazhin e fundit.

Sipas informacioneve të publikuara, më 9 mars ish-bashkëshorti i saj, Eraldo Fizi, ka shkuar pranë banesës ku Xhuana jetonte me qira në zonën e ish-Fushës së Aviacionit në Tiranë. E reja kishte pak kohë që ishte zhvendosur në kryeqytet, ku jetonte me një shoqe dhe kishte nisur punë, ndërsa priste të fillonte edhe një tjetër angazhim në profesionin për të cilin ishte diplomuar, drejtësi.

Familjarët e saj ishin në dijeni të problemeve që ajo kishte pasur pas martesës. Fillimisht Xhuana kishte jetuar me motrën në Tiranë dhe më pas me një shoqe, ndërsa familja kishte qenë gjithmonë mbështetëse ndaj saj.

Sipas të dhënave paraprake, mbrëmjen e 9 marsit, ish-bashkëshorti e ka takuar pranë pallatit ku banonte. Xhuana ka zbritur bashkë me shoqen e saj, e cila ka qëndruar për pak minuta dhe më pas është kthyer në banesë. Dyshohet se gjatë kohës që kanë qëndruar vetëm, e reja është dhunuar nga ish-bashkëshorti.

Në gjendje të rënduar psikologjike dhe e lënduar, Xhuana është kthyer në banesë rreth orës 03:00 të mëngjesit.

Të nesërmen në mëngjes, pasi shoqja e saj është larguar për në punë, rreth orës 07:00 dyshohet se 25-vjeçarja ka konsumuar fostoksinë dhe ka shkruar letrën e lamtumirës. Pas kryerjes së aktit, ajo ka telefonuar një nga motrat e saj që jeton në Angli, duke i treguar për veprimin që kishte ndërmarrë.

E alarmuar, motra ka telefonuar menjëherë shoqen e Xhuanës dhe pronarin e banesës me qira. Ky i fundit ka njoftuar menjëherë ambulancën dhe policinë.

Policia po heton rrethanat e plota të ngjarjes, përfshirë edhe mënyrën se si 25-vjeçarja siguroi fostoksinën. Dyshimet e hetuesve janë përqendruar edhe tek ish-bashkëshorti Eraldo Fizi, i cili aktualisht ndodhet në arrati.

Sipas familjarëve, Xhuana Nikollaj nuk vuante nga depresioni dhe nuk kishte qenë asnjëherë nën trajtim mjekësor për probleme të shëndetit mendor.

Bizneset që reklamohen në rrjetin e TV Apollon

Bëj edhe ti publicitet në TV Apollon

Tel: +355 69 27 56 610

Tel: +355 69 51 27 033