AMP pezullon efektivin në Elbasan, dyshohet për shpërdorim detyre dhe përkrahje në krim

Një efektiv policie në Elbasan është vendosur nën tre masa sigurie me vendim gjykate, pas dyshimeve për shpërdorim detyre dhe përkrahje të autorëve në krim.

Agjencia e Mbikëqyrjes Policore, Rajoni Elbasan–Korçë, ka ekzekutuar vendimin e Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan. Ndaj punonjësit janë caktuar masat “Pezullim i ushtrimit të një detyre a shërbimi publik”, “Ndalimi i daljes jashtë shtetit” dhe “Detyrim për t’u paraqitur në policinë gjyqësore”.

Bëhet fjalë për inspektorin Ervis Kaloti, me detyrë Oficer i Patrullës së Përgjithshme pranë Drejtorisë Vendore të Policisë Elbasan. Ai dyshohet për veprat penale “Shpërdorim i detyrës” dhe “Përkrahje e autorit në krim”, të parashikuara nga nenet 248 dhe 302 të Kodit Penal.

Sipas AMP-së, masat u caktuan në kuadër të një procedimi penal të vitit 2025. Hetimet, të zhvilluara me metoda speciale, kanë nxjerrë dyshime se efektivi, duke shpërdoruar detyrën, ka përkrahur persona me precedent penal në veprimtari të kundraligjshme.

Autoritetet bëjnë me dije se hetimet vijojnë për dokumentimin e plotë të kësaj veprimtarie dhe për identifikimin e personave të tjerë që mund të jenë të përfshirë.

Bizneset që reklamohen në rrjetin e TV Apollon

Bëj edhe ti publicitet në TV Apollon

Tel: +355 69 27 56 610

Tel: +355 69 51 27 033