Përpjekja e qeverisë italiane për të devijuar kërkesat për azil në Shqipëri ka dështuar sërish.
Ky dështim i njëpasnjëshëm duket se po i shkakton shqetësime serioze administratës së kryeministres Giorgia Meloni. Vetëm një javë më parë, në samitin e BE-së, Meloni prezantoi modelin e saj të menaxhimit të kërkesave për azil, duke ofruar Shqipërinë si një mundësi për shqyrtimin e kërkesave jashtë kufijve të BE-së. Sidoqoftë, qendra e sapo ndërtuar në Shqipëri ka mbetur bosh, për të dytën herë brenda pak kohësh, duke vënë në dyshim qëndrueshmërinë e këtij plani.
Më herët, në tetor të këtij viti, Italia u detyrua të kthejë 16 azilkërkuesit që ishin dërguar në Shqipëri, pasi disa prej tyre ishin minorenë, një tjetër ishte i sëmurë dhe dymbëdhjetë të tjerë nuk përmbushnin kriteret ligjore për të aplikuar për azil jashtë Italisë. Në një përpjekje të dytë më 8 nëntor, qeveria italiane dërgoi shtatë migrantë nga Egjipti dhe Bangladeshi në Shqipëri. Por, më 11 nëntor, një gjykatë në Romë vendosi kthimin e këtyre personave, duke e kaluar çështjen në Gjykatën Europiane, një vendim që e vonon më tej zbatimin e këtij plani.
Italia ka shprehur shpresat se, në rast mbingarkese, mund të dërgojë deri në 40,000 azilkërkues që tentojnë të hyjnë ilegalisht në vend, në qendrën e Shqipërisë për shqyrtimin e kërkesave për azil. Por, megjithatë, as një muaj pas fillimit të operacionit, nuk ka asnjë rezultat konkret dhe ende mbetet e paqartë nëse do të mund të merret ndonjë vendim për azilin në Shqipëri.
Për politologët si Hein, specialist i politikave të emigracionit, ky është një moment kritik për qeverinë e Meloni. Sipas tij, “do të ishte më e mençur që qeveria të pranojë se ky model nuk funksionon dhe të kthehet në një plan më të realizueshëm.” Ai thekson se shumë gjykata, përfshirë Gjykatën Europiane, kanë shprehur dyshime për praktikën e përcaktimit të “vendeve të sigurta të origjinës”, duke përfshirë Egjiptin dhe Bangladeshin, që janë burime të mëdha të azilkërkuesve në Itali.
Një tjetër problem për këtë model është reagimi i Organizatës Ndërkombëtare për Migracionin (IOM), e cila pohon se marrëveshja me Shqipërinë nuk ka pasur asnjë efekt të dukshëm frenues në ardhjet e migrantëve. Sipas IOM, megjithëse ka pasur një rënie të ardhjeve krahasuar me vitin e kaluar, në 11 ditët e fundit janë regjistruar mbi 3,300 ardhje të migrantëve nëpërmjet rrugëve detare. Sipas zëdhënëses së IOM, kjo tregon se marrëveshja mes Italisë dhe Shqipërisë nuk ka arritur të ulë ndjeshëm fluksin e azilkërkuesve.
Megjithatë, për disa shtete të tjera të BE-së, kjo marrëveshje ka ngjallur interes. Danimarka, Holanda dhe politikanë të opozitës në Gjermani kanë shprehur mbështetje për modelin e Italisë dhe mund të mendojnë të ndjekin një rrugë të ngjashme për të kanalizuar migracionin në vende të treta. Ky model ka ngjashmëri me marrëveshjen e Britanisë së Madhe me Ruandën, e cila gjithashtu dështoi pas një investimi të madh financiar.
Në këtë kontekst, eksperti Christopher Hein thekson se vështirësitë ligjore, logjistike dhe financiare janë të mëdha, duke e bërë këtë model të paqëndrueshëm dhe të pamundur për tu realizuar me sukses. Ai sugjeron se këto përpjekje për të devijuar situatën e migracionit dhe azilit janë të dështuara dhe nuk shërbejnë për të përmbushur nevojat e azilkërkuesve ose të popullsisë në përgjithësi.
Po ashtu, ky model mund të kthehet në një dështim financiar për Italinë. Qeveria ka llogaritur shpenzimet e menaxhimit të qendrës deri në vitin 2029 në mbi 500 milionë euro. Me borxhin e lartë që ka Italia dhe rrethanat ekonomike, këto shpenzime mund të kenë pasoja të rënda për buxhetin e shtetit.
Sipas Hein, mund të ketë edhe pasoja penale për qeverinë italiane, pasi ka një disproporcion mes shpenzimeve dhe numrit të azilkërkuesve, që kjo marrëveshje synon të trajtojë. Për më tepër, Kontrolli i Shtetit mund të ndërhyjë dhe të pezullojë shpenzimet e mëtejshme nëse konstaton keqmenaxhim të fondeve.
Në muajt e ardhshëm, do të presim vendimin e Gjykatës së Kasacionit në Itali, e cila do të vendosë nëse qeveria ka shkelur rregullat e BE-së për përcaktimin e vendeve të sigurta të origjinës. Po ashtu, një vendim nga Gjykata Europiane është gjithashtu në pritje, dhe mund të shohim nëse modelin e Shqipërisë do ta miratojë një herë dhe përgjithmonë BE-ja, apo kjo do të jetë një tjetër përpjekje e dështuara për të adresuar krizën e migracionit.