Deputetja Marjana Koçeku ka njoftuar përmes një statusi në rrjetet sociale se nuk është më pjesë e Partisë Socialiste dhe se do të vazhdojë mandatin e saj si deputete e pavarur në Kuvend. Në reagimin e saj publik, Koçeku thekson se vlerat dhe parimet e saj personale kanë qenë të pandryshuara edhe para angazhimit në politikë, duke shtuar se ato përbëjnë kufirin e saj në jetën publike dhe institucionale. Prej sot jam deputete e pavarur. Idealet e vlerat e mia janë ato që i kam pasë e i kam shprehë qysh para se me u asociu me nji parti. Ato m’i diftojnë kufijtë”, ka shkruar ajo në statusin e saj.
Koçeku ka qenë e renditur e para në listën e kandidatëve të Partisë Socialiste në qarkun e Shkodrës në zgjedhjet e fundit parlamentare, duke mbajtur një rol të rëndësishëm në përfaqësimin e kësaj force politike në këtë zonë.
Megjithatë, mbetet për t’u parë nëse largimi i saj është formalizuar edhe në mënyrë institucionale pranë strukturave të Partisë Socialiste dhe Kuvendit të Shqipërisë.
Deputetja Marjana Koçeku largohet nga Partia Socialiste, do të vijojë si e pavarur
Ndaj Postimin: