Muaji gusht njihet si muaji i dasmave, ndërsa në Dibër, festat martesore vijojnë të shoqërohen me zakone dhe tradita të hershme.
Këto pamje janë filmuar këtë të diel nga kamera e TV Apollon, në aksin rrugor drejt qytetit të Peshkopisë. Një varg i gjatë automjetesh, të mbushura me dasmorë, ka kthyer rrugën në një skenë feste, ku kënga, vallja dhe urimet shoqërojnë çiftin drejt qytetit.
Ajo që tërheq vëmendjen është mënyra se si traditat dibrane vijojnë të ruhen edhe në dasmat e ditëve të sotme. Tupana, instrumentet muzikore dhe këngët tradicionale shoqërojnë kortezhin e dasmorëve, ndërsa në rrugë ndodhin edhe momente simbolike të ceremonisë.
Në disa raste, automjetet ndalojnë dhe çiftet e dasmorëve shkëmbejnë shamitë e nuseve, një zakon i hershëm që përcjell miqësi, respekt dhe gëzimin e përbashkët të familjeve.
Kjo traditë, e trashëguar brez pas brezi, i jep dasmës dibrane një veçanti të sajën. Shamitë e nuseve, kënga, vallja dhe muzika tradicionale nuk janë vetëm pjesë e atmosferës festive, por edhe një mënyrë për të ruajtur identitetin kulturor të zonës.
Por krahas ngjyrave të festës, kortezhi i gjatë sjell edhe një shqetësim për qarkullimin. Kolona e automjeteve krijoi vështirësi dhe bllokime të përkohshme në rrugë.
Megjithatë, drejtuesit e mjeteve u bënë pjesë e këtij momenti të veçantë, duke shoqëruar dasmorët drejt Peshkopisë.
Dhe mes këngës, valleve, makinave të zbukuruara dhe zakoneve të vjetra, kamera e TV Apollon u gjend rastësisht në këtë atmosferë, duke sjellë pamje nga një prej traditave më karakteristike të dasmave dibrane.
Një traditë që, pavarësisht kohës, vazhdon të jetojë dhe të përcillet nga brezi në brez.