Transparencë më e madhe për çmimet dhe më shumë informacion për konsumatorin.
“Pasqyra e Çmimeve” është platforma e re digjitale që pritet të nisë së shpejti në fazë pilot, duke u mundësuar qytetarëve të krahasojnë çmimet e produkteve në supermarketet në të gjithë vendin.
Në një takim me përfaqësues të supermarketeve dhe furnitorëve kryesorë, u kërkua angazhim konkret për vendosjen në funksion të platformës.
Ajo do të mbledhë të dhëna për çmimin real final të produkteve, përfshirë TVSH-në, barkodin, njësinë matëse, adresën e pikës së shitjes dhe, sipas standardeve që do të përcaktohen, edhe informacionin nëse produkti është apo jo në stok.
Qëllimi i deklaruar është që konsumatori të ketë mundësi të shohë, të krahasojë dhe të zgjedhë, pa u përballur me mungesë informacioni për çmimet.
Në takim u kërkua që supermarketet të dorëzojnë listat e produkteve dhe pikave të shitjes, ndërsa të dhënat të përditësohen sipas një standardi të përcaktuar.
Theksi u vu gjithashtu te zinxhiri i formimit të çmimeve, nga prodhuesi ose importuesi deri te konsumatori.
Ministri i Financave, Petrit Malaj, tha se analiza e të dhënave do të ndihmojë në identifikimin e marzheve përgjatë këtij zinxhiri dhe në vlerësimin e tyre, me synimin për të orientuar edhe politikat fiskale.
Platforma nuk synon përcaktimin e çmimeve apo kufizimin e fitimeve të bizneseve, por rritjen e transparencës në treg.
Sfida e radhës është përfshirja e supermarketeve dhe furnitorëve në fazën pilot, në mënyrë që konsumatori të ketë një pasqyrë sa më të qartë të çmimeve dhe konkurrencës.