Fundi i muajit shtator i gjen çmimet e produkteve ushqimore në tregjet e Lushnjës ende të larta, pavarësisht se tregjet janë të mbushura me prodhime vendase dhe të importit.
Në qytetin bujqësor, ku oferta e produkteve të freskëta nuk mungon, tregtarët thonë se ajo që mungon janë blerësit.
Sipas tyre, edhe kur konsumatorët afrohen në treg, blerjet janë të reduktuara dhe familjet zgjedhin me shumë kujdes se çfarë vendosin në shportën e tyre.
“Dita e diel ka më shumë njerëz dhe më shumë shitje, ndërsa nga e hëna deri të premten numri i blerësve është shumë i ulët. Shpesh produktet na mbeten dhe një pjesë përfundojnë në mbeturina, pasi prishen.”
Situata duket e ngjashme edhe në dyqanet e bulmetit dhe të mishit. Konsumatorët thonë se çmimet janë shumë të larta në raport me të ardhurat dhe se disa produkte tashmë janë kthyer në luks.
Përballë çmimeve të mishit të freskët, shumë familje zgjedhin alternativa më të lira, si kofshët dhe krahët e pulës.
Jashte kamere qytetaret shprehen “Me këto çmime, mishi i viçit dhe bulmeti janë bërë luks. Duhet të zgjedhim produktet që kemi mundësi të blejmë.”
Konsumatorët kërkojnë ndërhyrjen e institucioneve për të monitoruar tregun dhe për të shmangur abuzimet me çmimet.
Nga ana tjetër, tregtarët thonë se edhe ata po përballen me kosto të larta dhe me rënie të fuqisë blerëse.
Në tregun e Lushnjës, prodhimet nuk mungojnë, por për shumë familje, sfida mbetet gjithnjë e më e madhe: të mbushin shportën pa boshatisur xhepat.