Në sheshin para Kullës 360 Gradë, mbrëmjen e kësaj të premteje u çel sezoni turistik 2026 me një panair të organizuar nga bizneset e zonës. Aktiviteti solli një atmosferë festive, ku nuk munguan lojërat për fëmijë, piktorët e vegjël, si edhe stendat me gatime tradicionale të detit, të cilat tërhoqën vëmendjen e vizitorëve dhe qytetarëve të shumtë.
Kënga dhe vallja popullore, të organizuara nga Qendra e Kulturës, i dhanë gjallëri mbrëmjes festive. Pjesë e aktivitetit ishin edhe 25 vajzat e “Miss Shqipëria”, të cilat u prezantuan në këtë skenë.
Në koncert performuan këngëtarët Eranda Libohova dhe Devis Xherahu, të cilët ndezën atmosferën dhe përcollën emocione mes këngës dhe valleve për qytetarët që kishin mbushur sheshin.
Të pranishëm në këtë aktivitet ishin kryebashkiaku i Divjakës, Josif Gorrea, deputetë të qarkut Fier, drejtuesja politike e PS për qarkun Fier, Belinda Balluku, ministri i Financave Petrit Malaj, si edhe drejtues të institucioneve të Bashkisë Divjakë.
Fjalën përshëndetëse në çeljen e sezonit turistik e mbajti kryebashkiaku Josif Gorrea, i cili theksoi rëndësinë e promovimit të turizmit, kulturës dhe kulinarisë tradicionale për zhvillimin e zonës së Divjakës.