Pas reshjeve të dendura dhe daljes nga shtrati të lumenjve Seman dhe Shkumbin, bregdeti i Divjakës është mbuluar nga një sasi e madhe mbeturinash plastike dhe inertesh të sjella nga rrjedha e këtyre lumenjve. Pamjet e filmuara mbi terren tregojnë një ndotje masive përgjatë vijës bregdetare, duke ngritur një alarm të fortë për gjendjen e mjedisit dhe ndikimin negativ në turizëm.
Kjo situatë nuk lidhet me bashkinë e Divjakës, por me bashkitë që shtrihen përgjatë lumenjve dhe me qytetarët që hedhin mbetje në mënyrë të pakontrolluar. Materialet që sot gjenden në breg të detit janë pasojë e drejtpërdrejtë e mungesës së përgjegjshmërisë qytetare dhe të mungesës së ndërhyrjes së duhur nga institucionet.
Laguna e Karavastasë, pyjet dhe i gjithë bregu i Divjakës konsiderohen pasuri me rëndësi kombëtare dhe nuk mund të kthehen në hapësira grumbullimi mbetjesh të sjella nga zona të tjera. Situata kërkon bashkëpunim institucional, plane konkrete pastrimi dhe ndërgjegjësim të komuniteteve për të mbrojtur këtë zonë të çmuar të natyrës shqiptare.