Blegtoria, një nga traditat më të hershme të jugut të Shqipërisë, po përballet me një rënie të vazhdueshme. Nëse një dekadë më parë qarqet e Gjirokastrës dhe Vlorës njiheshin për numrin e lartë të familjeve që mbarështonin bagëti të imta, sot kjo panoramë ka ndryshuar ndjeshëm.
Numri i staneve dhe i fermave familjare po zvogëlohet nga viti në vit. Sipas të dhënave dhe vetë fermerëve, arsyet kryesore janë emigrimi i popullsisë, mungesa e fuqisë punëtore dhe politikat që ata i konsiderojnë të pamjaftueshme për mbështetjen e sektorit.
Blektorët përballen çdo ditë me çmimin e ulët të qumështit të ofruar nga grumbulluesit, ndërsa vështirësi hasin edhe në tregtimin e mishit të freskët. Ndërkohë, importi i mishit në Shqipëri ka shënuar rritje, duke e bërë edhe më të vështirë konkurrencën për prodhuesit vendas.
Fermerët kërkojnë politika më të qarta dhe më të qëndrueshme në mbështetje të sektorit. Edhe pse viti 2026 solli një rritje të subvencioneve përmes skemave mbështetëse, sipas tyre kjo nuk mjafton për të përballuar kostot në rritje dhe sfidat e përditshme.
Ata theksojnë se zhvillimi i blegtorisë kërkon investime afatgjata, treg të garantuar për produktet vendase dhe politika që nxisin të rinjtë të qëndrojnë në fshat. Në të kundërt, një traditë që për dekada ka qenë burim jetese për mijëra familje në jug të vendit rrezikon të humbasë gjithnjë e më shumë terren.