Kreu i Partisë Demokratike të Shqipërisë, Sali Berisha, ka shpërndarë një mesazh për strukturat drejtuese dhe simpatizantët e forcës politike që ai drejton, ku i falënderon për arritjen e 20 shkurtit, të cilën e konsideron një tjetër sukses në rrugëtimin e tyre politik. Njëkohësisht, ai u bën thirrje për angazhim të plotë në organizimin e protestës së radhës.
Në komunikimin e tij, Berisha thekson se puna në terren është thelbësore dhe kërkon që përgatitjet për tubimin e paralajmëruar më 28 shkurt të nisin menjëherë. Sipas tij, kjo protestë përfaqëson vijimin e asaj që ai e quan “kryengritje paqësore”.
Mesazhi u drejtohet anëtarëve të Kryesisë së PD-së, drejtuesve politikë në qarqe, kryetarëve të degëve, deputetëve të grupit parlamentar, drejtuesve dhe këshilltarëve vendorë, si edhe anëtarëve të Këshillit Kombëtar dhe gjithë mbështetësve të partisë.
Njoftimi i PD:
Drejtuar: Anëtarëve të Kryesisë së Partisë Demokratike, drejtuesve politikë të qarqeve, kryetarëve të degëve të PD-së, deputetëve të grupit parlamentar, kryetarëve dhe këshilltarëve të bashkive, anëtarëve të Këshillit Kombëtar dhe të gjithë anëtarëve e mbështetësve tanë!
Të dashur miq,
Me këtë mesazh dua t’ju përgëzoj përzemërsisht të gjithëve për suksesin e ri shumë të rëndësishëm që arritëm më 20 shkurt, falë angazhimit, përkushtimit, guximit dhe vendosmërisë suaj.
Dje, në një datë historike, shënuam për opinionin publik kombëtar dhe ndërkombëtar një fitore të re tejet të çmuar për suksesin përfundimtar të kryengritjes sonë paqësore. Jehona e këtij suksesi pushtoi dje, me shpejtësi të pashembullt, hapësirën e komunikimit, si dhe mendjet e zemrat e shqiptarëve dhe të njerëzve të lirë në mbarë botën.
Ndaj, duke filluar nga nesër, me energjinë dhe frymëzimin e 20 shkurtit, të nisim me përkushtim betejën e ardhshme! Të trokasim në çdo derë, në çdo lagje, bllok, rrugë e rrugicë, në çdo fshat e qendër pune, për të garantuar pjesëmarrjen më masive të shqiptarëve në protestën e ditës së shtunë, më datë 28 shkurt.
Kjo është përparësia jonë! Mobilizoni të gjitha forcat dhe energjitë për përmbushjen e këtij misioni!
Përshëndetje të përzemërta.
Fitore!
Miqësisht,
Sali Berisha
PS: Ora dhe vendi do të njoftohen të hënën.