Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka shpërndarë një postim në rrjetet sociale, ku kritikon Kryeministrin Edi Rama për praninë e gardistëve në Parlament gjatë fjalimeve të tij.
Sipas Berishës, kjo është një dëshmi e frikës dhe paranojës që Rama ka, duke u shprehur se çdo herë që ai merr fjalën në foltore, Parlamentit i shtohen gardistë për t’i krijuar një ambient më të sigurt për veten e tij.
“Sa herë Rama flet në foltore, Parlamenti mbushet me gardistë! Nga çfarë ka frikë Edi Rama?!” shkruan Berisha, duke theksuar se pas fjalimit të Ramës, janë shfaqur gjashtë gardistë në pjesën ballore të sallës. Ai e konsideron këtë veprim si një manifestim të frikës dhe paranojës që, sipas tij, është një tipar i Kryeministrit, i cili “jeton në çdo moment me frikë.”
Berisha gjithashtu ngre pyetje mbi këtë masë sigurie, duke theksuar se Parlamenti është një nga institucionet më të sigurt në vend dhe nuk ka arsye për t’u mbrojtur nga gardistët. “Kujt i ruhet Edi Rama në një nga institucionet më të sigurta në vend?!” shkruan ai, duke shtuar se nuk ka asnjë kërcënim të drejtpërdrejtë për Kryeministrin, që të kërkojë praninë e forcave të sigurisë.
Në këtë kontekst, Berisha thekson se arma e vetme që mund të “futet” brenda Parlamentit është e vërteta, e cila, sipas tij, është ajo që Rama dhe qeveria po përpiqen ta fshehin me çdo mjet. “Në atë Parlament, e vetmja armë e cila lehtësisht mund të futet brenda është E VËRTETA,” shkruan Berisha, duke akuzuar Ramën për tentativat për të mbytur dhe përjashtuar të vërtetën nga debati parlamentar.
Berisha vazhdon të kritikon se Rama përpiqet të sigurohet që “e vërteta të mbytet, dhunohet apo përjashtohet nga salla”, duke përdorur gardistë, deputetë dhe ministra si mjetë për të mbajtur kontrollin dhe për të shmangur që realiteti të dalë në dritë.